Serbët paralajmërojnë bllokimn e rrugëve në veri, në rast të konfiskimit të atomjeteve

Beograd, 27 tetor 2022 – Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin.

Këtë paralajmërim ai e ka bërë të enjten, në një konferencë për media në Beograd, pas takimit të drejtuesve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nëse Prishtina fillon ndonjë veprim me dhunë lidhur me targat, konfiskimin e automjeteve, ne do t’i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, ka thënë Rakiq.

“Presidentit  Vuçiq i thamë se nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona jonë janë pikërisht targat, që janë arsyeja e takimit, ne do t’ përdorim të gjitha mjetet demokratike dhe paqësore për të rezistuar dhe do të jetë kjo rezistencë e popullit”, ka thënë ai.

Rakiq nuk e ka përjashtuar mundësinë e eskalimit të situatës në veri.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë e duam këtë, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”, ka thënë ai.

“As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, ka plotësuar ai.

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e automjeteve në Kosovë.

Të enjten do të mbahet edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Pas mbledhjes pritet të deklarohet edhe vetë Vuçiq.

Në takimin me Vuçiqin ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica”. Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të paligjshme në qendrën turistike Brezovica në Komunën e Shtërpcës.

Nga 1 shtatori Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e shtetit.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës, si KM, PZ, PR e të ngjashme, konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës. Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, i thanë REL-it më 26 tetor, se synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

(r.m.)