Beograd, 14 tetor 2021 – Disa organizata nacionaliste në Serbi kanë përalajmëruar për të shtunën një protestë para ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.
Organizatorët nuk e kanë shpjeguar arsyen e protestës para ambasadës amerikane, por besohet se protesta ka të bëjë me aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave, i cili u zhvillua edhe në komunat meshumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Disa dhjetëra serbë, të ftuar nga disa organizata nacionaliste në Serbi, të mërkurën mbrëma, kanë mbajtur një tubim proteste në qendër të Beogradit, siç është thënë, “kundër ngjarjeve të fundit në Kosovë”.
Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë ku ka pasur edhe përplasje me policinë, por protesta ka përfunduar pa ndonjë incident serioz.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ndërmori aksion kundër kontrabandës me mallra në nivel të vendit, përfshirë edhe komunat Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan, në veri të vendit.
Gjatë aksionit, policia hasi në rezistencë të një grupi të serbëve lokalë, të cilët sulmuan policinë dhe vendosën bllokada në rrugë, për të penguar aksionin. Protestuesit kanë sulmuar policinë edhe me mjete shpërthyese. Ata i kanë sulmuar edhe gazetarët që ishin në krye të detyrës së tyre. Midis gazetarëve të sulmuar kanë qenë edhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë dhe të agjencisë së lajmeve “Kossev” me seli në Mitroviceën Veriore.
Policia e Kosovës njoftoi se 10 pjesëtarë të saj janë lënduar në përplasjet me protestues. Mediet serbe raportuan se gjatë përplasjeve janë lënduar tetë qytetarë serbë.
(r.m.)