Prishtinë, 7 nëntor 2023 – “Jemi bërë të padobishëm në shoqëri, të etur për të shkuar në punë, për t’u socializuar, për të ndier se po bën diçka të dobishme”.
Me këto fjalë, një vit më vonë, një ish-punonjëse e sistemit gjyqësor në veri të Kosovës komenton për Radion Evropa e Lirë (REL) vendimin për dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Tri ditë pas vendimit për tërheqje kolektive nga institucionet e Kosovës, më 8 nëntor 2022, ajo kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dhënë dorëheqje vullnetarisht, por se është detyruar ta bëjë këtë pas 20 vjetësh shërbim. Ajo pranoi të fliste vetëm në kushte anonimiteti dhe rrethanat nuk kanë ndryshuar as një vit më vonë. Identiteti i saj është i njohur për redaksinë e REL-it.
Ajo ende pohon se vendimi për t’u larguar nga institucionet e Kosovës ishte “krejt i gabuar”.
“Absolutisht asgjë nuk ka ndryshuar”, thotë ajo dhe vlerëson se ende nuk ka një plan për punëtorët që dhanë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022.
Braktisja kolektive e institucioneve të Kosovës në katër komuna në veri – Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – u iniciua nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit.
Arsyeja ishte “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kjo parti pati kërkuar që të anulohet vendimi i autoriteteve kosovare për riregjistrimin e veturave me simbole të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Përveç punonjësve në gjyqësor, dorëheqje kanë dhënë edhe qindra punonjës të policisë së Kosovës dhe administratës lokale. Shumica e tyre u integruan në sistemin e Kosovës në vitet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013.
Radio Evropa e Lirë foli me disa nga këta punëtorë, të cilët kryesisht shprehin pakënaqësi për vendimin për largim nga institucionet e Kosovës. Gjithashtu, të gjithë këmbëngulin që identiteti i tyre, të mos bëhet publik, prej frikës nga targetimi brenda komunitetit.
“Qëndrimi në shtëpi ndikon në psikikë”
Një tjetër ish-punonjëse e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës thotë se është e pakënaqur me jetën e saj pasi që ka një vit që nuk ka shkuar në punë.
Ajo thotë se e gjithë kjo situatë i ka “ndikuar në psikikën” e saj dhe në atë kontekst thotë se është “varrosur intelektualisht”.
“Po mundohem të ngrihem dhe të merrem me punë private, që ngadalë por me siguri të arrij sërish majën, nga e cila u hodha dhe nuk e di se kur do të jetë kjo”, thotë ajo.
Një qëndrim të ngjashëm e shpreh edhe një ish-punëtore në Policinë e Kosovës.
“Kurrë nuk isha e kënaqur kur nuk punoja. Jam mësuar të fitoj para, të kontribuoj në shoqëri, të jem pjesë e komunitetit, të jem një person i dobishëm shoqëror”, thotë ajo.
Ajo nënvizon se ndihet “krejt e padobishme”, ndonëse nuk ka probleme financiare.
Pasiguri dhe frikë për ekzistencën?
Beogradi zyrtar ka përkrahur largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës. Punëtorëve, të cilët kanë dhënë dorëheqje, u janë dhënë kontrata në bazë të të cilave marrin pagë.
Bashkëbiseduesit e REL-it konfirmojnë se këto të ardhura i marrin nga buxheti i Qeverisë së Serbisë, por theksojnë se kanë “kontrata të përkohshme” dhe se nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta në të ardhmen.
Një ish-punonjëse e sistemit gjyqësor beson se marrja e rrogës nga Serbia për “të ndenjur në shtëpi” është një zgjidhje e paqëndrueshme.
“Do të vijë koha kur do të ndalojnë së paguari njerëzit që rrinë në shtëpi dhe nuk bëjnë absolutisht asgjë. Ne kemi një kontratë pune dhe ajo mund të ndërpritet në çdo kohë. Unë, si dhe shumë të tjerë, jemi të pasigurt se çfarë do të ndodhë”, thotë ajo.
Ajo shton se ka frikë për “statusin e saj financiar, sepse askush nuk garanton kthimin në institucionet e Kosovës”.
Një tjetër ish-punonjëse e sistemit gjyqësor thotë se çështja e kthimit të tyre në institucionet e Kosovës është e diskutueshme dhe “pothuajse e pamundur”.
A ka pasoja nga vendimi për largim nga institucionet e Kosovës?
Sërgjan Simonoviq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane” në Mitrovicën e Veriut, beson se për kthimin e punëtorëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës është e nevojshme një “marrëveshje më e gjerë” në nivel të lartë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në deklaratën e tij për REL-in, ai konstaton se vendimi për daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk ka qenë i mirë, sepse pjesëtarët e komunitetit serb kanë mbetur “pa mbrojtje institucionale”.
“Tani shohim se ka tentativa për t’u kthyer në ato institucione, por më pas shtrohet pyetja se pse janë larguar nga institucionet kur asgjë nuk ka ndryshuar?! Në përgjithësi, ai vendim ishte krejtësisht i gabuar”, thotë ai.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar çoi në një sërë krizash në rajonin ku jeton popullata shumicë serbe.
Përveç punëtorëve në gjyqësor, polici dhe administratë, dorëheqje kanë dhënë edhe katër kryetarë komunash në veri nga radhët e Listës Serbe. Më pas, në fund të majit 2023, në pushtet erdhën kryetarët shqiptarë, të cilët nuk pranohen nga popullata vendase serbe, sepse sërish me ftesë të Listës Serbe, i bojkotuan zgjedhjet e prillit.
Megjithatë, Lista Serbe në mes të tetorit ka njoftuar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës, edhe pse nuk janë plotësuar kushtet e mëparshme për kthim apo pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.
Përveç formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe pjesëtarëve të komunitetit serb, Lista Serbe paraprakisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komunat në veri, tërheqjen e njësive speciale të Kosovës dhe amnisti për të gjithë serbët e arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta.
Ky ndryshim i qëndrimit të Listës Serbe pasoi ngjarjet në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas në shkëmbimin e zjarrit u vranë tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe,Millan Radoiçiq, ekstradimin e të cilit e kërkojnë autoritetet në Kosovë. Beogradi zyrtar mohon të ketë lidhje me këtë sulm, por edhe refuzon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa vendet perëndimore këmbëngulin në bashkëpunimin e dy palëve kur bëhet fjalë për hetimin e ngjarjeve në Banjskë.
Ndërkohë, erdhi edhe deri te ndryshimi i kryesisë së Listës Serbe, kurse që nga 1 nëntori, serbët e veriut gjithnjë e më shumë i regjistrojnë automjetet e tyre me targa serbe në RKS – çështje kjo që solli edhe dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
(Sandra Cvetkoviq, REL)