Serbët vazhdojnë të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës

Prishtinë, 7 nëntor 2022 – Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në mëngjes jam informuar nga administrata që deputetët serbë i kanë dorëzuar mandatet – letrat e dorëheqjes”, tha shkurt Kërçeli.

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, në gjykatën në Mitrovicë të Veriut, një pjesë e stafit të administratës kundërshtoi të dorëhiqet, duke thënë se ata “nuk pyeten për asgjë” dhe se “po na thuhet se çfarë të bëjmë”.

Largim “emocional” i serbëve nga sistemi i drejtësisë

Juristi Marko Jakshiq, i cili deri më 7 nëntor ishte punonjës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se largimi ishte shumë emocional dhe se të gjithë në këtë institucion gjyqësor kanë bashkëpunuar, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Së bashku e ndërtuam atë gjykatë për të mirën e të gjithë qytetarëve në këtë rajon, shqiptarëve, serbëve dhe të gjithë të tjerëve”, tha ai dhe shtoi se “vendimet e gabuara” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “shtyn njerëzit të qanin, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, tha se “kolegët shqiptarët kanë marrë përsipër lëndët që janë të natyrës urgjente”.

“Ne u përpoqëm t’iu ndihmonim, ne dhe kolegët tanë kurrë nuk kemi pasur probleme, e kemi bërë punën tonë në mënyrë profesionale, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar”, tha ajo.

Stevanoviq shtoi se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.

“Sot, gjyqtarët që nuk kanë ardhur dje për të dorëzuar dorëheqjen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e kanë bërë këtë përmes emaileve zyrtare. Kolegët tanë, gjyqtarë dhe punonjës administrativë shqiptarë, mbeten në gjykatë, dhe i gjithë stafi administrativ dhe gjyqtarët serbë kanë dhënë dorëheqje”, tha më 7 nëntor gjyqtari në Mitrovicën e Veriut, Nikolla Kabashiq.

“Tani presim që të dorëzojmë lëndët dhe pajisjet që kemi marrë”, shtoi ai.

Edhe punonjësit e Prokurorisë Themelore – prokurorët dhe stafi mbështetës – dhanë dorëheqje më 7 nëntor.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrisë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës kishte 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta ishin 10 prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.

Për shkak të situatës në veri, Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm mesditën e së hënës.

Sipas zyrtarëve, në këtë takim do të vlerësohet situata e krijuar në sistemin e drejtësisë dhe do të vendoset se si të veprohet në të ardhmen.

Kurse në Këshillin Prokurorial të Kosovës, zyrtarët thanë se më vonë gjatë ditës, përmes një komunikate do të bëjë të ditur për hapat e mëtejme.

Policët serbët kanë vazhduar të dorëzojnë armët dhe prangat në stacionin policor, pasi më 5 nëntor përfaqësuesit e Listës Serbe thanë se serbët në katër komunat në veri, do të largohen nga institucionet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Sipas Kurtit, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti është shprehur se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

(REL)