Beograd, 16 janar 2024 – Mijëra mbështetës të opozitës kanë marshuar të martën në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në një protestë kundër Qeverisë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Në një adresim para turmës, Marinika Tepiq, lidere e aleancës Serbia kundër Dhunës (SPN), e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka thënë se opozita vazhdon të jetë e vendosur për të kontestuar rezultatin zgjedhor.
“I gjithë planeti e di, e kemi zënë atë [Vuçiqin], i cili nuk guxon të dalë para popullit të vet”, ka thënë Tepiq, e cila javën e kaluar ka hyrë në grevë dyjavore për të protestuar rezultatin zgjedhor.
Opozita e konteston më së shumti rezultatin e zgjedhjeve në Beograd dhe kërkon me ngulm përsëritjen e zgjedhjeve.
Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, gjatë procesit zgjedhor në Serbe ka pasur shumë parregullsi. Sipas tyre, SNS-ja ka siguruar avantazh të padrejtë përmes paragjykimeve mediale, ndikimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe parregullsive zgjedhore, përfshirë blerjen e votës.
Vuçiq dhe aleatët kanë thënë se zgjedhjet janë qenë të drejta.
Megjithatë, Millosh Vuçeviq, udhëheqës formal i SNS-së, ka thënë se votimet në Beograd mund të përsëriten, nëse askush nuk arrin të krijojë koalicionin qeverisës dhe ta sigurojë shumicën në kuvendin komunal.
Votuesit në Beograd përbëjnë rreth një të katërtën e elektoratit në Serbi, prandaj kryetari e kryeqytetit konsiderohet si një prej njerëzve me më shumë ndikim në Serbi.
(r.m.)