Beograd, 28 dhjetor 2022 – Autoritetet shtetërore të Serbisë e kërcënojnë përsëri Kosovën me ushtri dhe polici.
Ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, ka thënë se serbët e Kosovës, të cilët ai i ka quajtur “qytetarë të Serbisë”, nuk kanë përse frikësohen, sepse ushtria serbe “është e gatshme ta bëjë detyrën e saj”.
“Askujt s’i pëlqen të luftojë dhe askush nuk dëshiron konflikte, por Ushtria e Serbisë është e gatshme, e guximshme dhe e vendosur ta mbrojë shtetin tonë. Shpresoj që askush nuk do ta verifikojë se kjo është e saktë”, ka thënë Vuçeviq, transmeton gazeta “Danas” e Beogradit.
Vuçeviq ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po bën lëvizje joracionale”, ndërsa Serbia “është e gatshme” për marrëveshje politike, gjithnjë duke kërcënuar me ushtri dhe me polici.
“Serbia është e gatshme për marrëveshje, por kjo nuk do të thotë se tërhiqet nga vija e kuqe. Është përgjegjësi e jona të gjejmë zgjidhje politike, por, njëkohësisht, ushtria dhe policia jonë janë të gatshme për mbrojtjen e Serbisë dhe të të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
“Ne kemi gjithçka që është e nevojshme për mbrojtjen e shtetit tonë, jo vetëm brenda këtij territori. Këtu janë edhe brigadat speciale, aviacioni, artileria…”, ka thënë Vuçeviq.
Por, ai nuk ka treguar pozicionet në të cilat janë vendosur forcat e ushtrisë e të policisë së Serbisë.
“Nuk mund t’i zbuloj të gjitha pozicionet”, është shprehur ai.
Ministri serb i Mbrojtjes i ka bërë këto deklarata pas visitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në njësitë e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
Një ditë më parë, Vuçiqi ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
(r.m.)