Serbia e quan “provokim të hapur” aleancën ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

Beograd, 18 mars 2025 – Serbia e cilësoi si “provokim” memorandumin e bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila u nënshkrua të martën në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të t՞ tria vendeve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka thënë se ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe të Shqipërisë do t’u kërkojë shpjegim të detajuar lidhur me memorandumit.

Në reagimin e kësaj ministrie thuhet se Shqipëria dhe Kroacia, “së bashku me përfaqësuesin e paligjshëm të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, kanë ndërmarrë hapa që e dëmtojnë stabilitetin rajonal.

Serbia, si shtet që garanton paqen dhe neutralitetin ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje mbi natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë”, thuhet në reagim.

Serbia e cilëson shqetësues faktin se kjo aleancë ushtarake është formuar pa asnjë konsultim me Beogradin.

“Nëse kjo marrëveshje nuk është e drejtuar kundër askujt, atëherë Serbia kërkon shpjegim se përse është përjashtuar nga çdo negociatë për sigurinë kolektive në rajon”, thuhet në reagim.

Aty shprehet shqetësim veçanërisht, siç thuhet, “për përfshirjen direkte të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që përbën një kërcënim për popullin serb dhe për të gjithë rajonin”.

Beogradi e sheh memorandumin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si hap strategjik për izolimin e Serbisë dhe për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilën e quan “strukturë paramilitare”.

“Nuk do të injorojmë mesazhin politik të qartë të kësaj iniciative. Është e dukshme se ky memorandum nuk është rezultat i një bashkëpunimi të rastësishëm, por një strategji e synuar për të izoluar Serbinë dhe për të forcuar struktura paramilitare në krahinën jugore të Serbisë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

“Armatosja e njëanshme dhe bashkëpunimi ushtarak me struktura të paligjshme në territorin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen rajonale”, thuhet në reagim.

Beogradi e konsideron shumë domethënëse faktin se Kroacia dhe Shqipëria, të cilat i quan fqinje të saj, i kanë bërë ftesë edhe Bullgarisë që të bëhet pjesë e alencës ushtarake rajonale.

“Serbia nuk do ta pranojë këtë në heshtje. Si një shtet që, pavarësisht neutralitetit të tij ushtarak, është aktiv në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve moderne të sigurisë, Serbia ka qenë e gatshme të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të sinqertë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Megjithatë, kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, përfaqëson provokim të hapur dhe shpërfillje të rëndë të realitetit në terren”, thuhet në deklaratë.

(r.m.)

Comment

*