Serbia e ul buxhetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës

Preshevë, 6 shkurt 2024 – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se Qeveria e Serbisë e ka zvogëluar për mbi 1 milion dinarë buxhetin e këtij këshilli për vitin 2024.

Lutfiu ka thënë se zvogëlimi i buxhedtit e vështirëson jashtëzakonisht shumë funksionimin e KKSH-së. Megjithatë, ai ka theksuar se ky akt i Serbisë nuk do ta dekurajojë këshillin, i cili do të punojë edhe më fuqishëm për realizimin e të drejtave të shqaiptarëve në këtë rajon.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet ndërkombëtare i ka informuar për këtë vendim të Qeverisë së Serbisë.

“Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në vend që të rrisë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2024 e ka ulur atë për mbi 1 milion dinarë.

Buxheti për institucionin tonë do duhej të rritej për shkak regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kjo jo që nuk u mor parasysh, përkundrazi e ulën buxhetin.

Kjo e vështirëson jashtëzakonisht shumë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Lidhur me këtë i njoftuam ndërkombëtarët.

As ky kërcnim nuk do të na zmbraps nga puna, përkundrazi do të punojmë edhe më fuqishëm për të drejtat tona, pavarësisht diskriminimeve dhe vendimeve skandaloze si ky!”ka shkruar Lutfiu në Facebook.

(r.m.)