Serbia formon ekipin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Beograd, 5 prill 2024 – Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

Grupi punues do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq.

Qeveria e Serbisë njoftoi se ky grup punues e ka mbajtur mbledhjen e parë.

Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe. Një ditë më parë, Vuçiq ka kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të Qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, ka thënë Vuçiq në një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë.

Bashkimi Evropian nuk i ka komentuar planet e Serbisë për të tentuar që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nuk dua të hyj në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të premten, duke u përgjigjut në pyetjen nëse veprimet e tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve midid dy vendeve, të arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër.

Në nenin 4 të Marrëveshjes thuhet se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

(r.m.)