Beograd, 23 janar 2025 – Serbia i ka dëbuar 13 shtetas të huaj të cilët po merrnin pjesë në një punëtori të organizatave joqeveritare nga nëntë shtete të ndryshme. Në mesin e tyre ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.
Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, duke cilësuar se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë”.
Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Jashtme dhe Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se konkretisht çfarë kërcënimi përbënin personat e dëbuar.
Fondacioni “Erste”, i cili është ndër organizatorët e punëtorisë, tha se më 21 janar, vonë në mbrëmje, autoritetet serbe i kanë marrë në pyetje 13 pjesëmarrës nga nëntë vende, e pastaj atyre ua ka ndaluar hyrjen në Serbi për një vit.
Sipas këtij fondacioni, për arsyet e dëbimit të tyre nuk janë informuar as të dëbuarit, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes.
“Ky incident është jashtëzakonisht shqetësues. Së bashku me partnerët tanë po vazhdojmë të ndjekim me kujdes situatën. Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore”, thuhet në njoftimin e Fondacionit “Erste”.
Ky fondacion bëri të ditur se programet e tyre për organizata joiqeveritare organizohen që nga viti 2013, disa prej të cilave janë mbajtur në Beograd pa asnjë problem.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke i bërë thirrje Serbisë që të respektojë të drejtat e njeriut sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
“Ne jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin nga Serbia të aktivistëve paqësorë të shoqërisë civile që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto janë vlera në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçë për të ardhmen e Serbisë si një vend kandidat dhe për qytetarët e saj”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.
Ai ka theksuar se masat që i ndërmerr Serbia në interes të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore të vendit dhe me atë evropiane.
“Masat e tilla nuk duhet të rezultojnë me kufizimin e lirive individuale, përfshirë edhe të qytetarëve të huaj”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, për Radion Evropa e Lirë.
(r.m.)