Beograd, 29 korrik 2023 – Promovimi dhe shpjegimi i iniciativave të ndryshme politike të Qeverisë së Serbisë, përmes kontaktit me mediat dhe grupet përkatëse me seli në SHBA, është obligim i kompanisë amerikane, PR KARV Communications, nga kontrata e nënshkruar në korrik.
Kjo është kontrata e dytë për lobim, të cilën autoritetet serbe e kanë me shtëpi lobimi në Amerikë. Vlera e kontratës me KARV, e cila është me afat prej një viti, por me mundësi vazhdimi, arrin në 60 mijë dollarë në muaj.
Siç thuhet në kontratën e publikuar në faqen “Foreign Agents Registration Act” (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë, KARV do të ofrojë mbështetje për Qeverinë e Serbisë në komunikimet strategjike dhe marrëdhëniet me mediat.
Shërbimet specifike, siç shpjegohet, do të përfshijnë, ndër të tjera, kontaktin me mediat dhe grupet përkatëse me bazë në SHBA, për të shpjeguar iniciativat e politikave serbe përmes krijimit dhe shpërndarjes së fjalimeve dhe deklaratave, si dhe konsultime strategjike shtesë, dërgim mesazhesh dhe mbështetje editoriale.
Kontrata është nënshkruar më 11 korrik nga drejtori i kompanisë KARV, Andrew Frank, dhe ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq.
KARV, siç thuhet, do të punojë me Serbinë për të ndihmuar në promovimin e vendit, si dhe për të depërtuar tek audienca e re me informacione që do ta ndihmojë të kuptojnë pozicionin e Serbisë në arenën globale.
Kjo thuhet se do të bëhet përmes mediave standarde dhe sociale, së bashku me ndërveprimet e drejtpërdrejta dhe të folurit me grupe në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Deri në publikimin e këtij teksti, as KARV dhe as ambasadori serb në SHBA nuk i janë përgjigjur pyetjes me shkrim të Radios Evropa e Lirë (REL) për detajet e kontratës, si dhe për specifikat e aktiviteteve të ardhshme.
Për çfarë kompanie bëhet fjalë?
Siç thuhet në faqen e internetit të kompanisë, KARV Communications është një kompani për komunikim strategjik, e pranuar globalisht dhe e specializuar për komunikimet e sofistikuara të korporatave dhe ato financiare, për menaxhimin e krizave dhe menaxhimin e reputacionit personal, si dhe për mbështetje në çështjet gjyqësore dhe çështjet publike.
Kompania, gjithashtu e përshkruan veten si ofruese e këshillave ligjore për klientët, këshillave lidhur me menaxhimin, lobim, këshilla financiare, teknologji, menaxhim rreziku dhe këshilltarë të tjerë të brendshëm ose të jashtëm.
Në mars të vitit 2022, Politico, në një artikull rreth lobistëve, avokatëve dhe profesionistëve të marrëdhënieve me publikun që inkurajojnë ndihmën për Ukrainën, e renditi KARV-in në mesin e dy firmave që përfaqësojnë Shoqatën e industrisë së naftës dhe gazit të Ukrainës dhe të cilat “de facto, janë bërë emisarë të çështjes ukrainase”.
Politico raportoi se Andrew Frank, president i KARV Communications, tha gjithashtu se ai mori telefonata nga profesionistë të tjerë për marrëdhënie me publikun, të cilët kanë pyetur se si mund të ndihmonin ose se si KARV ra në kontakt me klientin e tij ukrainas, Shoqatën e industrisë së naftës dhe gazit.
Para luftës, ndër të tjera, puna e kësaj kompanie ishte fokusuar në gazsjellësin Rrjedha e Veriut 2 (Nord Stream 2), raportoi Politico.
Rrjedha e Veriut 2 është projektuar për të dyfishuar sasinë e gazit që rrjedh nga Rusia drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën si shtet tradicional i transitit, në fund të Detit Baltik. Tubacioni është kundërshtuar prej kohësh nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat besojnë se do të rriste varësinë e kontinentit të vjetër nga furnizimet ruse me energji.
Uashingtoni tha, gjithashtu, se do t’i shkaktonte dëm ekonomik Ukrainës, duke ia mundësuar Moskës të devijojë eksportet e gazit që shkojnë përmes Ukrainës, duke e privuar atë nga miliarda dollarë të ardhura vjetore nga tarifat e transitit.
Si rezultat, Gjermania pezulloi procesin e certifikimit në vitin 2022, pa të cilin ai nuk mund të vihet në funksion.
Sipas raportit të Politicos, ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, i cili u dënua me 12 vjet burgim për rolin e tij në grabitjen e një fondi investimi shtetëror, angazhoi KARV Communications për dy muaj, në gusht të vitit 2022, për t’i ofruar kompanisë mbështetje strategjike të komunikimit në marrëdhëniet me median.
Me kë tjetër po lobon aktualisht Serbia?
Në fund të vitit 2019, Serbia punësoi kompaninë amerikane Yorktown Solutions për “shërbime këshilluese strategjike” në lidhje me marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Serbisë.
Nënshkrues i kontratës me kompaninë është Oda Ekonomike e Serbisë. Kontrata, e cila skadon më 8 nëntor të këtij viti, i kushtoi Odës Ekonomike të Serbisë 840 mijë dollarë.
Sa shpenzoi Serbia për lobim?
Në faqen “Akti për regjistrimin e agjentëve të huaj” (FARA) thuhet se janë nënshkruar 34 kontrata për lobim në favor të Serbisë. Disa nga këto kontrata janë vazhduar disa herë.
Vlerat e paguara për lobim silleshin nga zero deri në mbi dy milionë dollarë.
Lobimi
Kontratat e lobimit janë praktikë e zakonshme në SHBA dhe detajet e tyre publikohen në faqen e internetit “Akti për regjistrimit e agjentëve të huaj” (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Vetëm në vitin 2022, shpenzimet totale të lobimit në Shtetet e Bashkuara ishin rreth katër miliardë dollarë, sipas të dhënave të Statista-s.
Kontrata për lobim, aktuale ose në të kaluarën, kanë shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Siç ka shkruar REL-i në korrik, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka angazhuar për lobim në SHBA kompanitë Communications dhe Ambal të Afërdita Rakipit.
Pronarët e këtyre dy kompanive, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, janë të angazhuar me honorar për “avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.
Në bazë të kontratës, e cila më 26 qershor është nënshkruar për një vit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do t’u paguajë atyre nga 147 mijë euro për aktivitetet e tyre.
(REL)