Serbia po e përdor gjuhën e luftës ndaj Kosovës!

Mehmet PRISHTINA

Serbia hapur po provokon dhe këtë po e bën para hundëve të ushtarëve të KFOR-it.  Deri më tani Beogradit nuk i është dërguar ndonjë notë proteste nga NATO dhe nga BE, por as nga Washingtoni zyrtar. Shkelja kaq flagrante e kufijve të Kosovës, duke e vënë policinë para sprovave të rrezikshme, nënkupton edhe nëpërkëmbje të juridiksionit të NATO-s mbi pacenushmërinë e kufinjve të Kosovës. Kjo i bie që duke cenuar kufijtë e Kosovës, Serbia po cënon rëndë edhe krediblitetin e NATO-s në këtë pjesë të Kosovës.

 

Pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare e ka trimëruar Serbinë që të futet në aventura të rrezikshme pranë kufijve të Kosovës. Që nga 13 prilli deri sot për të pestën herë është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, ndërkohë që ekspertët ushtarak shtrojnë pyetjen: Pse KFOR-i nuk pati informacione për sulmet në veri të Kosovës?

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova nuk ka arritur t’i eliminojë strukturat paralele në veri të Kosovës, përkundër tentativave. Duke komentuar për sulmet e dy-tri ditëve të fundit ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, në veri të vendit, Qehaja ka thënë se nuk e di se sa hapa kanë ndërmarr institucionet e Kosovës për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla. Sipas tij ekzistojnë ushtarakë të kamufluar në brendi të territorit tonë, ata janë civilë, kryejnë gjoja se detyra të tjera, por në fakt ata janë njerëz që janë ushtarakë profesionistë.

Informacionet e gjeneralit Qehaja kemi mundur t’i dëgjojmë në mënyrë të përsëritur edhe nga burime të tjera tash e disa vite. Sipas këtyre burimeve tash më nuk është kurrfarë sekreti se në veri të Kosovës vepron pa pengehueshëm  Shërbimi sekret serb, BIA, i cili përpos që është aktiv në terren me informatorët e vet, ai është i gatshëm të ndërmerr veprime të natyrave të ndryshme të karakterit subversiv kundër sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.

Këtij mozaiku të përpjekjeve destabilizuese kundër Kosovës, duhet shtuar edhe praninë  e rusëve në  bazën informative në Nish, qëllimi i të cilëve është destabilizimi i Ballkanit, në veçanti Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Të gjithë së bashku, këto struktura po punojnë që të përgatisin  terrenin e një sulmi eventual të armatosur ndaj Kosovës, ndërkohë që  mbetet e paqartë se si është e mundur që KFOR-i, edhe pse një herë në muaj takohet me krerë të ushtrisë serbe për analiza të situatës së sigurisë, megjithatë nuk pati informacione për sulmet e fundit që u bënë ndaj policëve të Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Dyshohet se lëndët pirotenike janë hedhur nga territori i Serbisë.

Përderisa policia e Kosovës po e njofton detajisht opinionin publik mbi sulmet e njëpasnjëshme që vinë nga territetori i Serbisë, diplomatët në Prishtinë janë treguar unik në dënimin e këtyre sulmeve.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për të cilat autoritetet e Kosovës kanë raportuar më 15 prill.

Ai ka paralajmëruar që “të mos bëhen spekulime që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të turpshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër at që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.

“Misioni NATO-s në Kosovë, KFOR, dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë një zyrtarë për media i KFOR-it në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet. Ne presim nga të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet pa nevojë dhe të ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës, liderët e partive politike në opozitë dhe ekspertët e sigurisë i konsiderojnë sulmet e ditëve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit si alarm përsigurinë në Kosovë. Pothuajse të gjithë kanë kërkuar që këto sulme të trajtohen me seriozitet dhe të vështrohen si përpjekje për destabilizim të kosovës dhe të mbarë rajonit.

Zyra e Presidentes së Kosovës i ka cilësuar këto sulme si përpjekje për destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se këto sulme janë kryer nga Serbia dhe nga strukturat e saj kriminale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, “të ardhur nga Serbia”, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”.

Këto provokime të Serbisë vijnë mu në vlugun e agresionit rus në Ukrainë. Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë të identifikojnë natyrën e këtyre sulmeve, duke qartësuar nëse bëhet fjalë për provokim të karakterit politik e ushtarak të Beogradit, apo të strukturave paralele serbe që e kanë hallin e kontrabandës, të cilave u pengon prania e forcave policore të Kosovës në shtigjet ilegale.

Por, ajo çka është më shqetësuese, këto provokime ende nuk e kanë marrë përgjigjen e duhur nga autoritetet e larta në Bruksel. Ky i fundit është mjaftuar me reagimin e zyrës së BE-së në Prishtinë, si pjesë e një përgjigjeje të përbashkët të shteteve të QUINT-tit dhe KFOR-it në Kosovë.

Serbia hapur po provokon dhe këtë po e bën para hundëve të ushtarëve të KFOR-it.  Deri më tani Beogradit nuk i është dërguar ndonjë notë proteste nga NATO dhe nga BE, por as nga Washingtoni zyrtar. Shkelja kaq flagrante e kufijve të Kosovës, duke e vënë policinë para sprovave të rrezikshme, nënkupton edhe nëpërkëmbje të juridiksionit të NATO-s mbi pacenushmërinë e kufijve të Kosovës. Kjo i bie që duke cenuar kufijtë e Kosovës, Serbia po cënon rëndë edhe krediblitetin e NATO-s në këtë pjesë të Kosovës.

Të ndodhur para një situate të tillë aspak relaksuese, Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera ligjzbatuese, nuk e kanë aspak lehtë të demonstrojnë fuqinë e imponimit të politikave sovraniste në këtë pjesë të vendit tonë. Por kjo nuk është arsyeja që shteti ynë të dorëzohet para provokimeve që vijnë nga struktura keqbërëse të Serbisë. Përkundrazi është koha që të kalohet në një ofenzivë diplomatike për të se senzibilizuar diplomacinë ndërkombëtare mbi pasojat e provokimeve serbe ndaj sovranitetit të Kosovës.

Prishtinë, 16 prill 2022