Prishtinë, 28 nëntor 2021 – Autoritetet e Serbisë ua kanë refuzuar katër ministrave të Qeverisë së Kosovës kërkesën për vizitë dyditore në Luginën e Preshevës.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishin planifikuar të realizonin njëvizitë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë më 27 e 28 nëntor.
Ministri Aliu ka njoftuar se kërkesa për vizitë u është refuzuar “pa asnjë arsyetim, pak para nisjes”.
“… ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në orën 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye për refuzimin”, ka shkruar Aliu në Facebook.
“Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka shkruar ai.
Aliu ka thënë se ai dhe kolegëte e tij kishin paraparë të vizitonin tri komunat e banuara me shqiptarë dhe të takoheshin me krerët e komunave dhe me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Refuzimi i kërkesës për vizitë të delegacionit të ekzekutivit kosovar në Serbi vjen katër ditë pasi Qeveria e Kosovës ia refuzoi kërkesën për vizitë në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se ishte e gatshme ta rishqyrtonte kërkesën e Petkoviqit për vizitë nëKosovë në të ardhmen, “nëse ai përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
(r.m.)