Serbia shpall ditë zie për serbët e vrarë në përleshjen e armatosur me policinë në Kosovë

Beograd, 26 shtator 2023 – Qeveria e Serbisë e ka shpallur ditën e mërkurë (27 shtator) ditë zie për tre pjesëtarët e grupit terrorist serb që u vranë të dielën gjatë përleshjes së armatosur me Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, të dielën.

“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, e cila kontrollohet dhe mbështetet nga Beogradi, ka shpallur tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë, për, siçthuhet, “vdekjen e bashkëqytetarëve tanë”  në Banjskë.

Në njoftimin e postuar në Facebook, Lista Serbe njoftoi se datat 26, 27 dhe 28 shtator “janë shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në një ngjarje tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit”.

Sipas raportimeve të medies serbe, dy nga pjesëtarët e grupit të terroristëve serbë që u vranë gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Kosovës, janë nga Leposaviqi, ndërsa i treti është nga Zveçani.

Identiteti i tyre nuk është bërë publik.

(r.m.)