Serbia shpenzoi miliona dollarë për blerjen e dronëve kinezë

Beograd, 20 maj 2021 – Me gjithë përpjekjet e zyrtarëve shtetërorë në Serbi për të fshehur çmimin e dronëve të blerë kinezë, ky informacion është nxjerrë në bazën e të dhënave për importet dhe eksportet, e cila çdo vit publikohet nga Byroja e Statistikave.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke inspektuar bazën e të dhënave për importet nga Kina në vitin 2020, ka arritur në informacionin se Serbia, atë vit, ka importuar dronë nga Kina në vlerë prej 19.3 milionë dollarësh.

Çmimi me të cilin Serbia i blerë dronët luftarakë-zbulues nga Kina, është mbajtur sekret që nga korriku i vitit 2020, kur dronët janë shfaqur për herë të parë në aeroportin ushtarak të Batajnicës, në Beograd.

Përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se sa kanë kushtuar gjashtë dronët CH-92A, nuk ka dashur të japë as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka qenë i pranishëm në prezantimin e dronëve.

“Kur prokurojmë mallra me një vend tjetër, sa i përket ushtrisë, [çmimi] mbahet sekret. Kjo është e zakonshme dhe nuk ka asnjë lidhje me Kinën, por këta [dronët] vërtet nuk janë shtrenjtë”, ka thënë atëbotë Vuçiq.

Burimi për vlerën e dronëve të importuar nga Kina është Administrata Doganore e Serbisë, ka thënë Byroja e Statistikave e Serbisë në një përgjigje me shkrim për REL-in.

Ky institucion i paraqet të dhënat mbi tregtinë ndërkombëtare në Zyrën e Statistikave të Republikës, në baza mujore.

“Të gjitha të dhënat për prokurimet, që kanë karakter ndërkombëtar, nuk janë sekrete për shërbimet e inteligjencës, dhe kështu as për zyrtarët e vendeve të huaja”, ka thënë për REL-in Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politikat Strategjike.

Prandaj, sipas tij, të dhënat për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Kina mbahen sekrete vetëm për publikun, përkatësisht për qytetarët e Serbisë.

“Në vend që të parakalojmë me transparencë të prokurimit të sistemeve luftarake, ne i tregojmë ato në parada ushtarake me shenjat e vendeve të treta”, është shprehur Lluniq.

Për çfarë dronësh bëhet fjalë?

Dronët CH-92A i prodhon Korporata Shkencore dhe Teknologjike e Aviacionit të Kinës. Ajo është një kompani shtetërore.

Siç thuhet në specifikimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, mjeti ajror pa pilot, CH-92A, mund të godasë objektivin nga një distancë prej nëntë kilometrash, ndërsa mund të regjistrojë terrenin dhe pozicionin e njësive të armikut nga një distancë prej 250 kilometrash.

Lartësia maksimale në të cilën fluturon është 5,000 metra, ndërsa shpejtësia është pak më pak se 200 kilometra në orë.

Dronët CH-92A, mes tjerash, përdoren për studim të terrenit nga ajri dhe sulm me raketa të drejtuara me laser, në caqe në tokë.

Çdo dron është i pajisur me dy raketa, që mund të godasin një objektiv nga një distancë prej 9 kilometrash.

Sipas faqes zyrtare të Korporatës Shkencore dhe Teknologjike të Aviacionit kinez, kompania eksporton dronë në më shumë se 30 vende dhe rajone në botë, përfshirë Azinë, Afrikën dhe Evropën.

Programi i prodhimit të kompanisë përfshin edhe dronin CH-4, i cili thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme dhe është në përdorim në Egjipt, Etiopi, Jordani, Pakistan dhe Mianmar.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Studimit të Paqes në Stokholm, për vitin 2020, Kina është prodhuesja e dytë më e madhe e armëve në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përpara Rusisë.

Të dhënat nga i njëjti institut tregojnë se në periudhën 2010-2020, Kina ka dërguar 220 dronë luftarakë në 16 vende të botës.

Blerësit më të mëdhenj në këtë periudhë kanë qenë: Arabia Saudite (55), Emiratet e Bashkuara Arabe (40), Pakistani (25) dhe Iraku Birmania (nga 12).

Rreziqet për Serbinë

Sipas Lluniqit, blerja e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Kina paraqet rrezik për politikën e jashtme të Serbisë.

E gjithë kjo, duke marrë parasysh që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo përpiqet të përmirësojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe, në të njëjtën kohë, zhvillon bashkëpunim ushtarako-teknik me Rusinë.

“Kjo mund të ketë pasoja jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian ose Shtetet e Bashkuara, por edhe me Federatën Ruse”, ka thënë Lluniq.

Sipas tij, problem i vërtetë do të ishte mbështetja strategjike në teknologjinë kineze.

“Duhet të kihet parasysh se akuzat për kopjimin e pronës intelektuale në Kinë, po bëhen më të zëshme. Kompania shtetërore ruse Rostek e ka akuzuar gjithashtu Pekinin, duke thënë se në 17 vjetët e fundit, ai ka kopjuar sisteme luftarake ruse në 500 raste”, ka thënë Lluniq.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur lloje të caktuara të embargove në shitjen e armëve në Kinë.

BE ka vendosur embargo armësh ndaj Kinës qysh më 1989, pas shtypjes së dhunshme të protestave në Pekin.

Për të njëjtën arsye, embargo ka vendosur edhe SHBA-ja, e cila në gusht të vitit 2020 e ka paralajmëruar Serbinë në lidhje me prokurimin e armëve nga Kina.

Paralajmërimi është bërë pasi blerja e sistemit kinez të mbrojtjes raketore, FK-3, është përfshirë në raportin vjetor të ndërmarrjes ushtarake shtetërore të Serbisë, Jugoimport SDPR.

“Qeveritë duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata dhe kostot e të bërit biznes me kompanitë kineze”, ka thënë atëbotë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

(REL)