Nisma rajonale, Ballkani i Hapur, për Shqipërinë është “mision i kryer”, ndërsa për Serbinë një histori që ende pret një “të ardhme të ndritur”.
Nisma u ndërmor në vitin 2019 nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, me qëllim përmirësimin e qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Këto tri vende mbetën anëtaret e vetme të saj, pasi Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi nuk iu bashkuan.
Por, statusi i ardhshëm i Ballkanit të Hapur, u vu në pikëpyetje, pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në disa raste gjatë muajit të fundit, tha se nisma duhet të “lihet mënjanë”.
Pavarësisht rënies së interesimit të Shqipërisë për nismën, Serbia po e promovon atë.
Takimi jozyrtar i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, më 17 korrik, ishte një tjetër mundësi për kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, për të thënë se Ballkani i Hapur vazhdon të ekzistojë dhe vazhdon me projekte të përbashkëta.
Pavarësisht deklaratave të ndryshme nga Shqipëria dhe Serbia, drejtori i programit të Qendrës joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Beograd, Nikolla Burazer, thotë se udhëheqësit e të dyja vendeve kanë ende interesa, për të cilat Ballkani i Hapur mund “të mbetet i gjallë”.
“Marrë parasysh se Ballkani i Hapur ka shërbyer si një promovim, kryesisht për [presidentin serb, Aleksandar] Vuçiq dhe Ramën, si iniciatorët kryesorë të tij, ai mund të vazhdojë t’i shërbejë këtij qëllimi”, thotë Burazer për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë ka mbetur nga Ballkani i Hapur?
Kur udhëton nga Serbia për në Maqedoninë e Veriut, udhëtarët në vendkalimin kufitar të Preshevës hasin në Ballkanin e Hapur, përkatësisht në një pikë për pagesën e autostradës.
Sistemi i unifikuar i pagesës mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë u prezantua më 1 korrik, ndërsa u dakordua në Samitin e Ohrit një vit më parë.
Qëllim i tij është reduktimi i bllokimit të trafikut.
“Ky është konfirmimi më i mirë se Ballkani i Hapur është një iniciativë që prodhon rezultate, që funksionon dhe që njerëzit e duan”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Ai bashkë me kryeministren e Serbisë vizituan pikën e shitjes në Preshevë më 16 korrik.
Bërnabiq e përshkroi sistemin e mbledhjes së pagesave si “një projekt të mirë” të Ballkanit të Hapur.
“Iniciativa Ballkani i Hapur është e hapur për të gjithë dhe kur ke një projekt si ky, i cili sjell përfitime konkrete për qytetarët, atëherë sheh se edhe të tjerë, jashtë këtij rajoni, duan të bashkohen, si Kroacia dhe Greqia. Jo të gjithë iniciativës, por projekteve specifike”, tha Bërnabiq më 16 korrik.
Tri ditë më parë, Serbia dhe Kroacia ranë dakord për mbledhjen e integruar të pagesave për autostradat e këtyre dy shteteve, gjë që, sipas njoftimeve, duhet të nisë në shtator.
Kroacia nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur dhe zyrtarët e saj nuk kanë shfaqur ambicie për t’iu bashkuar.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, gjatë një vizite në Prishtinë para dy vjetësh, tha se Ballkani i Hapur duhet t’i përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të pasur sukses. Në të kundërtën, sipas tij, lind pyetja se cili është qëllimi i një nisme të tillë.
Përfaqësues të Qeverisë në Beograd thanë më herët se janë duke negociuar edhe me Greqinë, e cila gjithashtu nuk është pjesë e nismës.
Është e ditur se ministri i Punëve të Jashtme i atij vendi ishte i ftuar në samitin e vitit të kaluar të liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”, por, siç tha asokohe kryeministri shqiptar, ai nuk mundi të merrte pjesë në të.
Përmendja e Greqisë dhe Kroacisë për promovimin e Ballkanit të Hapur
Qeveritë e Greqisë dhe Kroacisë nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar faktin se kryeministrja e Serbisë i lidh negociatat për mbledhjen e pagesave të autostradave me nismën Ballkani i Hapur.
“Greqia dhe Kroacia jo vetëm që nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur, por janë shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, kujton Burazer.
Sipas tij, përmendja e këtyre vendeve në kuadër të promovimit të Ballkanit të Hapur tregon se kjo nismë “nuk ka ndonjë kornizë të përcaktuar bashkëpunimi”.
“Duket se Ballkani i Hapur është diçka që liderët po përpiqen ta promovojnë dhe reklamojnë me marrëveshjet që i negociojnë në mënyrë dypalëshe dhe i vendosin pastaj nën ombrellën e Ballkanit të Hapur”, thotë Burazer.
Ai shton se gjatë tre vjetëve të ekzistencës, nisma nuk ka marrë ndonjë “strukturë të qartë”, siç është një organ që monitoron zbatimin e marrëveshjeve apo gamën e temave që i trajton.
“Marrëveshjet mund të arrihen pavarësisht nga çdo iniciativë formale. Ne kemi parë më herët se, ndoshta, qëllimet më të rëndësishme, qëllimet reale të Ballkanit të Hapur kanë qenë disa çështje dypalëshe që do të mund të zbatoheshin shumë lehtë edhe pa Ballkanin e Hapur”, thotë Burazer.
Procesi i Berlinit dhe/ose Ballkani i Hapur?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha më 7 korrik në Podgoricë se vendet e rajonit duhet të jenë të përkushtuara ndaj Procesit të Berlinit dhe se nisma Ballkani i Hapur e ka përmbushur qëllimin e saj.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Ai shërben si një platformë për lidhje dhe bashkëpunim të nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, një herë në vit mbahet një samit. Shqipëria është mikpritëse e takimit të këtij viti, që do të mbahet në tetor.
Burazer beson se kjo mund të jetë edhe arsyeja përse Rama e vë në dukje avantazhin e Procesit të Berlinit.
“Suksesi i Procesit të Berlinit – nëse ka marrëveshje të mëtejshme, nëse ajo që është rënë dakord, zbatohet realisht dhe jep rezultate – do ta errësonte Ballkanin e Hapur apo çdo nismë tjetër të ngjashme që do të ishte paralele me Procesin e Berlinit. Ndoshta Rama ka vlerësuar se, në këtë moment, është më mirë të bëhet thirrje për përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit”, thotë Burazer.
Ai shton se e meta e dukshme e nismës Ballkani i Hapur është se në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu sikurse janë në Procesin e Berlinit.
“Ne kemi dëgjuar në vende të ndryshme se Ballkani i Hapur shihet si krijimi i një ‘Serbie të madhe’ ose një ‘bote serbe’. Kur filloi kjo iniciativë, një pjesë e publikut në Serbi tha se përfaqëson një ‘Shqipëri të madhe’ dhe se Serbia merr pjesë në ‘Shqipërinë e madhe’. Mendoj se kundërshtimi i kësaj nisme është bërë shumë i zakonshëm”, thotë Burazer.
“Serbia e madhe” dhe “Shqipëria e madhe” janë programe politike nacionaliste që synojnë t’i zgjerojnë ato vende përtej kufijve ekzistues.
Burazer thekson se kjo është bërë një çështje e ndjeshme politike në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.
“Është e vështirë të imagjinohet se nisma do të zgjerohet më tej, duke pasur parasysh kundërshtimin vërtet serioz në këto vende”, thotë Burazer.
Kosova nga fillimi kundër Ballkanit të Hapur
Kosova nuk dëshiron t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur. Arsyeja e kundërshtimit ka të bëjë, para së gjithash, me faktin se Serbia nuk e trajton Kosovën si palë të barabartë, pra si shtet të pavarur.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në disa raste se nisma Ballkani i Hapur nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal, sepse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë trajtim të barabartë.
Për Qeverinë e Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, është një “iniciativë e dëmshme rajonale pa vizion”.
Kosova është e mendimit se vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.
Mali i Zi nuk hyn në Ballkanin e Hapur
Mali i Zi, deri më tash, nuk iu bashkua Ballkanit të Hapur. Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ishte kundër kësaj nisme, me vlerësimin se është “alternativë e keqe” ndaj Procesit të Berlinit dhe “mbulesë për realizimin e projekteve të ambicieve serbomadhe”.
Gjukanoviq i humbi zgjedhjet në prill të vitit 2023 dhe Jakov Millatoviq u zgjodh president i ri.
Gjatë vizitës së tij të parë në Beograd, në një intervistë për gazetën Politika, Millatoviq, i pyetur për Ballkanin e Hapur, tha se prioritet për të është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe angazhimi i menjëhershëm ndaj Procesit të Berlinit, por se Kuvendi i ri dhe Qeveria e re do të merren me këtë çështje.
“Çdo iniciativë ekonomike që sjell vlerë të re në drejtim të zvogëlimit të barrierave dhe forcimit të aktivitetit ekonomik në rajon, me kusht që nuk bie ndesh me parimet e Procesit të Berlinit, mund të jetë e dobishme”, tha Millatoviq më 9 korrik.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën në qershor dhe tani pritet formimi i Qeverisë së re.
Bosnje e Hercegovina e ndarë për çështjen e Ballkanit të Hapur
Ballkani i Hapur nuk ka mbështetje në të gjithë Bosnje e Hercegovinën.
Megjithatë, në një nga pjesët e saj, në entitetin e Republikës Sërpska, liderët politikë besojnë se Bosnje e Hercegovina duhet t’i bashkohet kësaj nisme.
Gjatë vitit 2022, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, mori pjesë në dy samite të Ballkanit të Hapur.
Në prag të Samitit në Ohër, në shtator të vitit 2022, kabineti i kryetarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se Tegeltija nuk e informoi Presidencën për pjesëmarrjen e tij dhe se kreu kolektiv i shtetit nuk ka marrë vendim për t’iu bashkuar nismës në fjalë.
Zhelka Cvijanoviq, anëtare e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës nga Republika Sërpska, pasi mori detyrën nëntorin e kaluar, tha se një nga qëllimet e saj është ta riaktualizojë pranimin e këtij vendi në Ballkanin e Hapur.
(REL)