Beograd, 15 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se qeveria e tij vendosi të enjten në mbrëmje që sonte t’i dërgojë komandantit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, kërkesën për të lejuar kthimin e “disa qindra, deri në njëmijë forcave serbe të sigurisë në Kosovë”.
Ai tha se kërkesa do të dorëzohet sonte nëpërmjet postës elektronike, ndërsa nesër edhe më letër personalisht komandantit të KFOR-it.
Presidenti serb tha se kjo është hera e parë që një qeveri e Serbisë e bën një kërkesë të tillë.
“Flitet se këtë e ka bërë (ish kryeministrit serb Zoran) Xhinxhiç në vitin 2003 por jo. Ai kishte dërguar një letër por jo një akt formal juridik”, tha presidenti serb duke theksuar se pret që KFOR-i të mos e pranojë këtë kërkesë.
“Nuk mendoj se ekziston mundësia që ata ta pranojnë kërkesën tonë, jo pse ëstë e keqe sepse po të mendonin më mirë kjo do t’i ndihmonte paqes, uljes së tensioneve dhe mundësisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha presidenti serb.
Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.
Kosova atëbotë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia.
Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe të cilat nuk e kanë komentuar kërkesën serbe e cila është paralajmëruar që nga dhjetë dhjetori, pas tensioneve në veriun e Kosovës ku grupe serbësh që nga e shtuna po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore duke protestuar ndaj arrestimit një ish pjesëtari të policisë së Kosovës nga radhët e këtij komuniteti.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha një natë më parë pas një takimi me presidentin serb se Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë, duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha më herët të enjten se qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por theksoi se, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike.
Duke theksuar se nuk sheh mundësi të zgjidhjes ushtarake, ambasadori Hill citohet të ketë thënë se “ajo që duhet të bëjmë është ta qetësojmë situatën, të krijojmë paqe dhe qëndrueshmëri asisoj që njerëzit që jetojnë atje të kenë pritshmëri të qarta se si do të duket jeta e tyre në të ardhmen. Kjo gjë mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Paralajmërimi i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim më agresion.
(Zëri i Amerikës)