Nga Ruben Avxhiu
Një numër shpërthimesh dhe aksidentesh në Rusi kanë dëmtuar pika të rëndësishme të kompleksit ushtarako-industrial rus. Disa prej tyre uzina kyçe për prodhimin e lëndëve kimike të domosdoshme për armë e municione. Trena që dalin nga shina, depo armatimesh që marrin flakë ettj.
Këto ngjarje të njëpasnjëshme dhe në kohë lufte kanë ngritur pikëpyetje e debate se kush po i shkakton.
1)
Kremlini deri tani i ka shpërfillur si aksidente. Dhe mbase janë të tilla. Por disa do të kenë pasoja të mëdha për furnizmin e ushtrisë.
2)
Disa thonë se janë sulme e operacione të inteligjencës perëndimore, sidomos amerikane, në përgjigje të agresionit në Ukrainë. Mirëpo janë disi thellë në Rusi e në zona të vështira për t’u depërtuar. Po të ishte e vërtetë do të bëhej fjalë për një sukses të mëdh të CIA-s, fuqia e të cilës kohët e fundit duket në rënie.
3)
Sabotime nga ukrainasit e Rusisë. Rusët dhe ukrainasit kanë shumë ndërmartesa e lidhje familjare. Ka njerëz në Ukrainë që e quajnë veten rusë e njerëz në Rusi që e quajnë veten ukrainas. Shumë prej tyre janë të revoltuar nga lufta. Edhe ata që kanë besuar në bashkimin mes dy vendeve e shohin luftën si sabotim të bashkimit. Një hipotezë është që këta po mobilizohen duke kryer akte sabotazhi.
4)
Disidenca ruse. Të paktën në të kaluarën disidentët rusë të pakënaqur me kthesën imperialiste e antiperëndimore, apo prokineze të Putinit, mund të protestonin në rrugë e botonin deklarata në media e rrjetet sociale. Vërtet nuk kishin shumë mbështetje dhe partitë e opozitës nuk arritën kurrë as 10% por të paktën e kishin një hapësirë të tyren. Tani, me rrezikun për t’u dënuar me 15 vite burg për një deklaratë. Me ndalimin e plotë të çdo botimi të pavarur, me arrestimin e mijëra vetëve vetëm se kërkuan paqe, disidenca në Rusi mund të jetë shtyrë në një fazë tjetër. Koha e fjalëve mbaroi, ajo e veprimit mund të ketë filluar. Nëse Putini fiton në këtë luftë, të humburit më të mëdhej do të jenë vetë demokratët rusë. Ata mund të kenë filluar rezistencën aktive, duke goditur pika nevralgjike të ushtrisë.
5)
Një ushtri e pakënaqur. Sipas të gjitha treguesve ushtria ruse po e përjeton keq pushtimin e Ukrainës. Kremlini ua plasi këtë luftë në duar, pa i përgatitur e paralajmëruar. Korrupsioni i thellë ka dalë në pah dhe bashkë me të rreziku për ndëshkime. Oficerët e lartë janë urdhëruar të mos rrinë në Moskë por të dalin në front bashkë me ushtarët që këtyre t’u ngrihet morali. Kjo ka sjellë humbje jetësh të pazakontë të gjeneralëve dhe oficerëve me grada të larta. Elita ushtarake druhet se po eliminohet tërthorazi nga Putini, jo me puçe e komplote, por duke u vënë në vijën e zjarrit.
Elita ushtarake e do një fitore diku sa për të larë duart, por nuk do një luftë të stërzgjatur. Ushtarët ndihen se po përdoren si mish për top. Mercenarët janë tani pjesa më e gjallë e sulmit. Oficerët e lartë rusë nuk kanë shumë kontroll mbi ta dhe as nuk i duan se ua kufizojnë autoritetin.
Është interesant se sa e gjallë është hiporeza se sabotimet po vijnë nga vetë ushtria. Në një nga pikat e shpërthimit, në një depo të rëndësishme armatimesh, thuhet se nuk pati asnjë viktimë edhe sepse të gjitha familjet e ushtarakëve që banonin aty afër ishin zhvendosur në një qytet tjetër, pak kohë përpara shpërthimit.