Sërish protestë në Graçanicë kundër arrestimit të një serbi të dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Një grup serbësh protestuan edhe sot në Graçanicë kundër arrestimit të Dragisha Milenkoviqit, për të cilin ekziston dyshim i arsyeshëm se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Protestuesit e mbledhur para stacionit policor kërkojnë lirimin e Milenkoviqit.

Kjo është dita e tretë e protestës lidhur me këtë arrestim.

Autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se Mileknoviq, ish-gardian në burgun e Prishtinës dhe në burgun e Lipjanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike ndaj të burgosurve shqiptarë.

Milsenkoviq është arrestuar në komunën e Graçanicës, të mërkurën. Një ditë më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim

Në njoftimin e gjykatës thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

Pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës në burgun e Prishtinës dhe në burgon e Lipjanit, në hyrje të burgut, e kishin krijuar një ‘tunel” nëpër tëcilin do të kalonin të burgosurit të cilët i kanë goditur me mjete të forta të ndryshme.

Edhe pas vendosjes në burg ata i kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë në mënyrë sistematike, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore. Shumë prej të burgosurve u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore, me pasoja serioze për shëndetin, si edhe për jetën.

(r.m.)