Serwer: BE-ja është bërë kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Uashington, 11 tetor 2023 – Eksperti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, e ka kritikuar Bashkimit Evropian për qasjen ndaj çështjes së Kosovës, të cilën ai e quan “të njëanshme”.

Serwer, duke iu referuar deklaratave të fundit të zëdhënësit të BE-së lidhur me sulmin terrorist serb në veri të Kosovës, ka akuzuar BE-në se “është bërë kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës” dhe se dëshiron të kufizojë dislokimin e policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“BE-ja de facto është bërë kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ajo dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer në faqen Peacefere.net në “X”, transmeton Telegrafi.

Profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins” është shprehur kritik edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“SHBA-të po e mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”, ka shkruar Serwer.

“Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka theksuar ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të martën, ka folur lidhur me masat e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se BE-ja po pret rezultatet e hetimit për rastin.

“Presim rezultatet e plota të hetimeve. Kur të jenë përfunduar hetimet dhe të kemi rezultatet që do t’i shohë BE-ja, ne do ta kemi pamjen e qartë se çfarë ndodhi, kush qëndron prapa dhe atëherë BE-ja do të vendosë për hapat e mëtejmë”, ka thënë Stano.

 “Në këtë fazë ne kemi nevojë të shohim: e para, hapa drejt shtendosjes kuptimplotë dhe kthim në dialog, ndërsa kur bëhet fjalë për ngjarjet e 24 shtatorit hetime të plota dhe përfundimtare”, ka thënë Stano.

(r.m.)