Serwer: Hill, me deklaratën për Kurtin, ia vështirësoi punën Hovenierit

Uashington, 12 qershor 2023 – Daniel Serwer, profesor i lëndës së menaxhimit të konflikteve në Unoversitein “John Hopkins” në Uashington, ka analizuar deklaratat e fundit të Ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë” kishte thënë Hill.

Serwer, në analizën e tij, vlerëson se kjo deklaratë ”ka probleme”.

“Nuk është vetëm joprofesionale. Edhe kolegut të tij në Prishtinë ia vështirëson punën. Herën e fundit që zyrtarët amerikanë e sulmuan kryeministrin Kurti dhe madje e organizuan rënien e tij nga pushteti, ai u kthye pas zgjedhjeve me një mandat të ripërtërirë dhe një shumicë më të madhe. Së fundi, ai ka lënë të kuptohet se mund të shpallë zgjedhje të parakohshme, me sa duket duke shpresuar që kështu u tregon amerikanëve se e ka mbështetjen e qartë të shumicës në Kosovë” ka shkruar ai.

Serwer ka bërë vërejtje edhe për vlerësimet e ambasadorit Hill për Presidentin e Serbisë, ndonëse Vuçiq e ka mobilizuar ushtrinë dhe e ka dërguar në kufi me Kosovën.

“Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes për normalizim të shkurtit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të cilën amerikanët thonë se është ligjërisht e detyrueshme. Ajo ndalon kërcënimin ose përdorimin e forcës (neni 3)”, ka shkruar Serwer.

Ai ka thënë se ambasadori Hill, në vend që të denoncojë këtë shkelje, i ka përmendur lojën me litarë mes serbëve dhe ushtarëve të NATO-s

“Serbët e Kosovës e dinë se NATO-ja sot i mbron ata sikurse edhe shqiptarët në jug të lumit Ibër. Ishin bandat serbe, të dërguara kryesisht nga presidenti Vuçiq, që e bënë punën e pistë, sulmin ndaj ushtarëve të NATO-s. Por ambasadori Hill nuk thotë asgjë për këtë”, ka shkruar Serwer.

Ai e ka komentuar edhe presionin e ambasadorit Hill ndaj autoriteteve të Kosovës për formimin e Asociacionit të kmunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Sipas Hillit, Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së vitit 2013 dhe me formimin e Asociacionit Kosova do të përfitonte shtrirjen e rendit e ligjit në gjithë territorin e saj.

“Beogradi, megjithatë, nuk e ka lejuar këtë shtrirje Ka ka rezistuar ndaj përpjekjeve të Prishtinës për t’i bërë serbët në veri të Kosovës të përdorin targat e Kosovës, ka tërhequr zyrtarët nga institucionet e Kosovës në veri, ka mbështetur dhe zbatuar bojkotin serb të zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe ka mbajtur atje forcat klandestine serbe të sigurisë, të cilët bashkëpunojnë me rebelët e dërguar nga Beogradi. Jo të gjithë simpatizanziuesit e ankesave të serbëve janë aq të verbër sa ambasadori (Hill) ndaj asaj që po ndodh në veri”, ka shkruar Serwer.

Sidoqoftë, ai i ka bër thirrje institucioneve të Kosovës të paraqesin propozimin e tyre për Asociacionin.

“Mendoj se Prishtina duhet të prezantojë propozimin e saj për AKMS. Kryeministri Kurti ka përmendur si model të mundshëm Këshillin Kombëtar Serb në Kroaci. Ai duhet ta shprehë atë ose propozimin e tij në një propozim me shkrim, plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, siç kanë garantuar amerikanët që çdo Aasociacion i komunave meshumicë serbe duhet të jetë. Të shohim nëse Vuçiqi i mirë e bën këtë. Edhe nëse e bën, Amerika duhet të japë garanci me shkrim për të monitoruar zbatimin e Marrëveshjes (së Brukselit) në baza të rregullta”, ka theksuar Serwer.

Ai e ka kritikuar Departamentin Amerikan të Shtetit për politikën që është duke e ndjekur në Ballkan duke theksuar se Sekretari Blinken duhet të dijë t’i korrigjojë gabimet.

“Ai duhet të urdhërojë një rivlerësim të shpejtë dhe një korrigjim të kursit”, ka shkruar Serwer.

Ai ka thënë se Departamentit Amerikan të Shtetit iu desh të korrigjonte deklaratën e ambasadorit Hill që e vinte në pikëpyetje partneritetin e amerikanëve me Kurtin.

“PS: Edhe për Departamentin e Shtetit, komentet e Hillit për Kurtin ishin të tepërta. Kështu që Gabe Escobarit iu desh t’i korrigjonte ato”, ka shkruar Serwer.

(r.m.)