Serwer: Marrëveshja Kosovë – Serbi nuk mund të arrihet brenda disa muajsh

Uashington, 16 qershor 2021 – Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, është një sinjal pozitiv dhe ka shtuar se nga takimi i tyre i parë nuk duhej të kishte pritje të mëdha.

Serwet ka thënë se akuzat reciproke që kanë shkëmbyer Kurti e Vuçiqi nuk i kontribuojnë procesit.

“Është për t’u lavdëruar që ndodhi [takimi], por nuk është mirë që ata të flasin për njëri-tjetrin në një kontekst negativ. Kjo nuk i kontribuon rezultatit përfundimtar, prandaj ata do të duhet të ndryshojnë”, ka thënë Serwer, në një intevistë për Zërin e Amerikës, seksioni në gjuhën serbe.

Sidoqoftë, Serwer ka thënë se në takimin Kurti-Vuçiq nuk ka vënë re detaje që do të tregonin se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis dy palëve është e mundur të gjendet brenda disa muajsh. Sipas tij, as Vuçiqi dhe as Kurti nuk janë të gatshëm për një gjë të tillë tani.

“Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se ai nuk është i gatshëm të ndërmarrë hapa të guximshëm, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës, para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Serbi. Unë e marr seriozisht. Ai e ka bërë këtë plotësisht të qartë. Kur bëhet fjalë për Albin Kurti, këtu ka disa pyetje. Çfarë mund të presë të fitojë nga e gjithë kjo? Do ta shtrojë këtë pyetje dhe do të kërkojë një përgjigje adekuate për të”, është shprehur Serwer.

Megjithkëtë, ai ka shprehur bindjen se Serbia dhe Kosova do ta arrijnë një zgjidhje, por ka theksuar se para se të arrihet një marrëveshje, Serbia duhet të pajtohet se më nuk do të mund ta administrojë Kosovën, por mund të fitojë miq në fqinjësi.

“Mendoj se shumë gjëra duhet të ndodhin para se arrihet deri te marrëveshja. Këtu veçmas mendoj në pranimin e Beogradit se e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën. Bëhet fjalë një humbje që nuk duhet të jetë e përhershme në kuptimin që në kufijtë e saj mund të fitojë miq. Ky do të jetë një plus i madh. Nuk pres kurrë më që Beogradi ta administrojë përsëri Kosovën. Për këtë nuk mund të flitet, por mendoj se ato mund të jenë vende miqësore dhe shpresoj se do të jetë kështu. Nuk ka asnjë logjikë që mes tyre të ketë konflikt diplomatik ose ushtarak”, ka theksuar Serwer.

(r.m.)