Serwer: SHBA-ja duhet të favorizojë miqtë në Ballkan dhe jo armiqtë

Uashington, 212 mars 2024 – Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, i cili është njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se Serbia është më afër NATO-s se Kosova.

Në një analizë në blogun e tij, Serwer e ka kritikuar “politikën ledhatuese” të SHBA-së ndaj Serbisë. Ai ka shprehur bindjern se Serbia vetëm e shfrytëzon “fuqinë ushtarake” të SHBA-së për përfitimet e saj.

“Ambasadori i SHBA-së në Beograd ka lavdëruar bashkëpunimin me ushtrinë serbe edhe pse presidenti i Serbisë e bën të qartë qëllimin për të pushtuar Kosovën në një moment. Si mund të jenë të dyja të vërteta? Nuk është vërtet e vështirë ta kuptosh këtë. Serbia bashkëpunon në stërvitjet e SHBA-së dhe NATO-s për dy arsye. Së pari, ata [NATO] ofrojnë trajnime të mira, të cilat rusët nuk janë në gjendje t’i bëjnë. Performanca e ushtrisë ruse në Ukrainë është përmirësuar, por humbjet e saj janë thjesht kolosale. Askush nuk do të donte t’i imitonte ata. Së dyti, stërvitjet e NATO-s ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të mbledhur inteligjencë. Kjo do të shërbejë mirë në çdo veprim ushtarak serb kundër forcave të udhëhequra nga NATO në Kosovë. Beogradi, pa dyshim, gjithashtu ia kthen këtë inteligjencë Moskës”, ka shkruar Serwer.

Ai ka thënë se politika ledhatuese e SHBA-së ndaj Serbisë nuk ka prodhuar rezultatedhe ka theksuar se Perëndimi, përfshirë SHBA-në, duhet t’i kundërshtojë ambiciet etnoterritoriale ruse e serbe dhe jo t’i inkurajojë ato.

“Kjo përkëdhelje ndaj Vuçiqit është bërë sjellje e paracaktuar në Beograd. Pyetja është pse tolerohet në Uashington. Mendoj se ka arsye. Por nuk ka gjasa të jenë të mira. Asnjë ‘shuplakë’ nuk do ta ndryshojë vendimin e Beogradit për t’u lidhur me Rusinë. Vuçiqi e ka bërë të qartë se synon të marrë mbrapsht një pjesë të Kosovës sa herë që i jepet rasti. Çdo marrëveshje në Ukrainë për t’i dorëzuar territorin Rusisë do ta ofrojë këtë mundësi. Uashingtoni duhet të rishqyrtojë përpjekjet e gjata për ta ‘pasur afër’ Vuçiqin. Ajo përpjekje ka dështuar. Ajo gjithashtu ka inkurajuar ambiciet e tij irredentiste, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. ‘Bota serbe’ që ai synon është rreptësishtë analoge me “botën ruse” që presidenti Putin po përpiqet të krijojë në Gjeorgji, Bjellorusi, Moldavi dhe më ambiciozisht në Ukrainë. Perëndimi duhet të kundërshtojë ambiciet etnoterritoriale ruse dhe serbe, jo t’i inkurajojë ato. Në vend të kësaj, Uashingtoni po dyfishon një politikë që ka dështuar të prodhojë asgjë më shumë se rezultate të vogla”, ka shkruar Serwer.

“Politika amerikane duhet të kthehet në favorizimin e miqve të saj në Ballkan dhe kundër armiqve të saj. Kjo nuk duhet të jetë shumë e vështirë për t’u bërë. Dyfishoni suksesin, jo dështimin”, ka theksuar Serwer.

(r.m.)