Serwer: Vuçiq është i interesuar ta pushtojë veriun e Kosovës

Prishtinë, 12 shtator 2023 – Profesorin dhe analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer, ka thënë se ai ka pritje të ulëta nga takimi i radhës i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet në Bruksel këtë javë. Ai ka thënë se nuk sheh të jenë bërë përgatitje për ndonjë kompromis dhe se te asnjëra palë nuk shihet donjë reflektim.

“Nuk shoh diçka të madhe nga ana e Beogradit, por as ndonjë veprim serioz sa i përket Asociacionit. Thjeshtë, nuk shoh ndonjë përpjekje për ndonjë kompromis”, ka deklaruar Serwer në RTK.

Telefonatat që kryeministri Kurti ka marrë nga përfaqësues dhe emisarë ndërkombëtarë, Server i ka cilësuar si “dozë të madhe të trysnisë” mbi kryeministrin Kurti. Ai ka thënë se as masat ndëshkuese nuk do të japin fryt, sepse palët nuk janëtë gatshme për  kompromis.

“Kemi parë disa nga pasojat tashmë dhe do të mund të kishte akoma të tjera, por nuk mendoj se do të funksionojnë, ngase as Prishtina dhe as Beogradi nuk janë të gatshëm për kompromis”, ka theksuar ai.

Serwer ka thënë se Beogradi po gëzon mbështetje të madhe nga SHBA-ja dhe BE-ja dhe nuk pati pasoja për sulmin ndaj trupave të NATO-s apo për kidnapimin e zyrtarëve policorë, prandaj Beogradi nuk ka përse ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës. 

Ai ka theksuar se Vuçiqi është konsistent në qëndrimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe ka bërë të qartë se synon ta pushtoë veriun e Kosovës.

“Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën dhe në mënyrë të qartë tregon se është i interesuar për ta mbajtur veriun, për ta pushtuar atë, dhe unë mendoj se ka mundësi ta bëjë këtë”, është shprehur Serwer.

(r.m.)