Sevasti Qirjasi Dako – kujtime për Naim Bej Frashërin

Nga Eduard M. Dilo

Një shkrim shumë i bukur, e po aq me vlerë nga Sevasti Qirjasi – Dako, për poetin tonë aq të ëmbël e aq të mirë, Naim Bej Frashëri

E kush nga ne, qysh në fëmijri nuk u ushqye me poezinë e bukur naimjane, kush nga ne që fëmijë nuk i recitonte ashtu siç dinte vargjet e ëmbela të thjeshta e aq të bukura të Tij?

Shkruaj…, ndërsa në veshë më ushton zëri i aktorit , artistit tonë të mrekullueshëm, që për koecidencë ka të njejtin emër me poetin në fjalë… Naim Frashëri (Artist Populli) :

“O malet e Shqipërisë, dhe ju o lisat e gjatë ,

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndërmend ditë e natë …

Ti Shqipëri me ep nder’, me ep emrin Shqipëtar…..”

Jane vargje që burojnë nga zemra e përemalluar e një shqiptari te vërtetë, që atje në mërgimin e largët zemra i qan e i zhuritet për Atdhe.

Është Naimi ynë që na e bie aq afër mëmedhenë, na çon në ato vende ku “buron ujët e ftohtë /, ku “kullosin bagetia/ ….ku bariu i bie xhurasë…../ atje ku përditë kemi mendjet tona!

E kush nga gjithë ne sot që ndodhemi larg , shumë larg atdheut, nuk e ndjen veten më patriot kur degjon vargjet e Naimit, të Çajupit, të Fishtes , …., etj., etj.?

Nisur nga një mendim i mirë, që gjithë sa do ti lexojnë kujtimet e më poshteme, do të ndjejnë një farë kënaqesie, se janë shkruar nga dora e mjeshtres së madhe, vendosa të sjell në origjinal, duke i shkëputur ashtu siç janë shkruar më shumë se 100- vjet më parë, në revistën e bukur e aq me vlerë:

“YLL’I I MENGJEZIT “ *

NJË PJEKJE ME NAIM BEJ FRASHËRIN (SEVASTI QIRIASI DAKO)

Ç’do Shqiptar i math dhe i vogël ka dëgjuarë cili është Naim Bej Frashëri, dhe kur kujtojmë këtë emër të çkëlqyere na vjenë ndër ment, pa dashur shërbimet e mëdha që i ka sjellë ky atdhetar i  çquarë Shqipërisë si patriot, si shkrimtar dhe si vjershëtor.

 Cili është ay atdhetar Shqiptar që nuku ka shijuare vjershat e këtij atdhetari të rrallë ? Cili është ay patriot që nuku ka vajtur tek ky burim atdhetarizmi për të forcuare ndjenjat edhe për të ndriture mendimet e tija patriotike?

Vjershat e Naim Bej Frasherit e zgjuan kombin Shqipetar nga gjumi i rëndë që e kish kishte pushtuare dhe i dhanë fuqi edhe guxim të nisnje luftën kundra tiranisë.

Qellimi im sot nuk është të shkruanj një biografi të plotë të Naim Bej Frashërit dëshironj vetëm të çfaq përshtypjen e pelqyerë që më bëri ky atdhetar kur e hasa për të parën herë në Stamboll.

Ishte dita kur mbaronja mësimet e mija edhe do të delnja në botë t’u bënja ballë pengimevet të cilat, i kuptonja do të ishin të shumta edhe të veshtira, sikunder na tha dhe Ambasadori i Amerikës kur na dha dipllomat.

Gëzimi im ishte i pa treguare, jo se mbaronja shkollën edhe se dëshira e zemres time po afronej të mbushet: po se do kisha ndjerë pas pak kohe të hasem me atdhetarë të flaktë, të cilët i adhuronja për shkrimet e tyre.

Thesare, për të cilin kisha derdhurë shumë djersë po e mbanja në dorë : fjalët edhe këshillat që na u dhanë prej njers të medhënj e të  çquarë muarë funt.

Urimet e folësvet i muarmë që të gjitha edhe shumica e madhe zu të perhapet.

Atë-here i ndyeri vella vjen edhe më mer edhe më shpije në një tok njerës, që po na prisnin.

 Para se të afronemi, disa nga këta me heqin vërejtjen, po më tepër një njeri, i cili ndonse me shtat të mesme edhe i imët, po kishte një fytyrë fort të qetë edhe të përshkruarë me ato sentimenta të larta, të cilat vetëm një viershëtor i lindur munt t’i ketë.

Sytë e tija plot zjar, i cili munt të djegë vetëm në zemër të atij atdhetari, që është i kthjellet edhe i vërtetë.

Të gjitha këto përmbledhur, i jepnin fytyrës tij një pamje intelektuali të çuditsheme: ishte një magnet dashurije.

Si u përshëndoshmë me të gjithë, Naim Beu më afronet edhe pasi më përshëndoshi edhe një herë më tha këto fjalë, të cilat ende janë të gjalla në zemër time: fjalë , që tronditnë shpirtin e të gjithëvet atyre, që dëgjuanë ; fjalë plot enthusiam edhe flagë, që derdheshin prej një zemre plot idealesh të larta.”

Motrë, punë më të mirë edhe më të vyerë nuku mund të besh për Shqipërinë perveç asaj që kini ndërment të bëni bashkë me vëllane t’uaj edhe mikun t’im të dashur -dhe e pushton t’im vella-po edhe unë dëshiroj të shtonj vetëm dy fjalë: paskëtaj, nisin detyrat e tua më të mëdhatë, edhe ndë qofsh besnike, ke për të bërë më të mëdhatë vepra për mëmedhenë.

Pengime edhe trubullime shumë edhe të mëdha do të kini në këtë udhë që ini nisur: po si trime Shqipëtarke i ke për të kapërxyere të gjitha.

Të gjitha ato që do të vijne nënë hijen tënde i frymezo me idealle të lartra e të vërteta, që të harijmjë  një qytetërim të vërtetë edhe kështu t’a bëjmë edhe brezin tonë të pushtonjë gjithë ato virtua dashurije vëllazerije atdhetarije dhe bashkimi që karakterizon kohën e Skenderbeut.”

Këshillat e larta të atdhetarit të çkëlqyerë më bënë si thashë edhe më siper, një përshtypje të madhe, edhe më kanë qënë  krahë që kur se hyra në fushën kombëtare.

Ç’do njeri që bashkoheshe me Naim Bej Frashërin nuk mund të mos frymëzohej nga ideallet e tija të lartra edhe nuk ishte e mundur të mos e kupëtonte detyrën që ka kundrejt atdheut.

………Sikur të kishte Shqipërija sot ca njerës si Naimi, si Saminë e Abdylin, si Vaso Pashën etj., punërat në Shqipëri do të kishin një fytyrë fare të ndryshme: sepse këta përpara kombit bënin kurban ç’do interes.

Ky  çkatërrim do të mos na vinte: as që do të merrnim aratinë ndë dhe të huaj dhe të derdhnim djersë-gjaku për rojtjen tonë.

Kombi Shqiptar kurë do të mos haronjë veprat e tyre.

Ndë mos kanë gjer më sot përmendore prej mermeri, kanë nga një përmendore në zemër të ç’do Shqipëtari.

Po të marim si shembëll këta atdhetarë

edhe të bëjmë kurban për Shqipërinë ç’do interes vetiak, ose ç’do hatër miqësije do të munt t’i sjellim shërbime atdheut.

Le të mos harojmë vëllezer atdhetarë se vetëm kthjellësia edhe drejtësia do të na nderojnë edhe do të na bëjnë të lumtur edhe kombin, edhe neve.

 Ndë bëfshim pjesën tonë, jo për fitimin e vet, po për fitim të kombit, atë -here kemi mbaruare detyrën tonë”.

Sa bukur e ka skalitur e na jep portretin e Naimit tonë të  madh, sa bukur e përshkruan takimin mbresë-lënës me Të, bisedën me aq vlerë dhe që i ka lënë gjurmë tërë jetën dhe e ka pasë si busull në udhën e patriotizmës dhe  detyrës kombëtare.

Sa aktual është dhe sot pas më se njëqint vjetesh ky shkrim aq domethënes, sa patriotik aq dhe edukativ .

Sa domosdoshmëri ka Kombi ynë që të gjithë të jemi një zë në favor të çështjes sonë kombëtare, për t’u rreshtuar aty ku na takon në Europën e bashkuar!

Dhe kemi cilësi dhe virtyte që na shquajnë midis popujve të tjerë, e të gjitha këto po ti vëmë në dobi të Kombit, të gjithë do jemi të kënaqur se Kombi ynë do përparojë dhe do zërë vendin që deri tash i është mohuar e privuar.

————-

*(The Morning Star), Vol.1 Boston .Mass .,

Thursday , February 15/1917 No. 3 / (f. 75-77).

(Falenderoj për këtë mundesi të krijuar me këto dokumenta të herëshme Zonjën e nderuar, Prof. Lume M. Juka, që mi ka dhuruar).

Nga Eduard M . Dilo