Shala e Jonuzi e pranojnë fajësinë, Bahtijari pritet ta bëjë këtë nesër

Hagë, 18 dhjetor 2024 – Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, janë deklaruar fajtorë të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.

Të dy e bënë këtë deklarim më 18 dhjetor në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku Shala u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet, ndërsa Jonuzi u pajtua me një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim.

Ata thanë se kanë pranuar marrëveshjet pa ndonjë detyrim dhe me vullnet të lirë si dhe që nuk do të apelojnë vendimet e dënimeve të tyre nëse ato do të jenë sipas marrëveshjes apo më të ulëta.

Prokuroria e Specializuar në Hagë akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, i cili gjithashtu ka bërë një marrëveshje të fajësisë e cila do të shqyrtohet në gjykatë më 19 dhjetor.

“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala gjatë deklarimit të tij në Gjykatë.

Ndërkaq, Januzi u përgjigj shkurt “fajtor”, në pyetjen e panelit gjyqësor se si deklarohet për akuzat me të cilat ngarkohet.

Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim deri me tri vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Januzi u arrestuan më 5 tetor 2023 dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në rast se paneli gjyqësor pranon këtë marrëveshje të palëve dhe në rast se dënimi për Shalën do të jetë tre vjet burgim ose më i ulët, palët nuk do të kenë të drejtë apelimi.

Edhe Ismet Bahtijari, i ngarkuar me të njëjtat akuza, ka arritur të martën marrëveshje për pranim të fajësisë. Kjo marrëveshje pritet të shqyrtohet nga gjykata në seancën e ftuar për të enjten,  më 19 dhjetor.

(r.m.)

Comment

*