Shane Sali zgjidhet Kryetar Bashkie në Greater Shepparton

Një tjetër sukses shqiptar në Australi

 

Ruben Avxhiu

Këshilltari me origjinë shqiptare, Shane Sali, në Greater Shepparton të Australisë u zgjodh nga Këshilli Bashkiak për të kryer detyrën e Kryebashkiakut.

Vendi i kryetarit të Bashkisë kishte mbetur bosh pas Kim O’Keeffe dha dorëheqjen nga posti, të hënën në 6 qershor.

Këshilli u mblodh me këtë rast për të zgjedhur një zëvendësues dhe Shane Sali, që shërben si anëtar i Këshillit Bashkiak që nga viti 2020, u zgjodh për të drejtuar bashkinë.

Shane Sali do të shërbejë si Kryetar i Bashkisë deri në zgjedhjet e ardhshme bashkiake.

Për më shumë se 10 vjet ai është anëtar i Komitetit Shqiptar të Sheppartonit ku ka kontribuar veç të tjerash në organizimin e Festivalit të Përvitshëm Shqiptar të të Korrave, në Shepparton.

Ai është baba i tre fëmijëve, i martuar me një shqiptaro-australiane me emrin Lirie.

Shane Sali është Kryetari më i ri i Bashksië në historinë e Greater Sheppartonit.