Kazan (Rusi), 11 maj 2021 – Një person i armatosur sulmoi një shkollë të martën në mëngjes në qytetin rus Kazan, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tetë vetëve.
Bëhet fjalë për shtatë nxënës të klasës së tetë dhe një mësues. 21 të tjerë u shtruan në spital, thanë zyrtarët rusë.
Pamjet e mediave ruse tregonin nxënës të veshur me të zeza dhe të bardha duke dalë nga ndërtesa. Një video tjetër përshkruante dritaret e copëtuara dhe shtëllunga tymi që dilnin nga dritaret ndërsa në sfond dëgjoheshin tinguj që ngjanin me të shtëna. Dhjetra ambulanca shkuan në hyrje të shkollës pas sulmit dhe policia bllokoi dyert e ndërtesës.
Media ruse tha ndërsa disa studentë ishin në gjendje të shpëtonin, të tjerët ishin bllokuar brenda gjatë incidentit. Më në fund të gjithë nxënësit u evakuuan në çerdhe dhe kopshte përreth ku u morën nga prindërit.
Zyrtarët thanë se autori i sulmit është arrestuar dhe policia ka hapur një hetim penal ndaj tij. Autoritetet vendosën menjëherë masa shtesë sigurie në të gjitha shkollat në Kazan, një qytet 700 kilometra në lindje të Moskës.
Rustam Minnikhanov, guvernator i republikës së Tatarstanit, kryeqyteti i të cilit është Kazani, tha se katër djem dhe tre vajza, të gjithë nxënës të klasës së tetë, vdiqën. Zyra e tij e shtypit tha më pas se edhe një mësues kishte humbur jetën.
“Terroristi është arrestuar, (ai është) 19 vjeç. Një armë zjarri është regjistruar në emrin e tij. Nuk janë identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë por po zhvillohet një hetim,” tha zoti Minnikhanov pasi vizitoi shkollën.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Tatarstanit, 21 persona u shtruan në spital me plagë pas sulmit, përfshirë 18 fëmijë, gjashtë prej të cilëve ishin në “gjendje të rëndë”.
Autoritetet e shpallën të mërkurën ditë zie për të nderuar viktimat e sulmit dhe anuluan të gjitha mësimet në shkollat e Kazanit.
Ndërsa sulmet me armë zjarri në shkolla janë relativisht të rralla në Rusi, vitet e fundit ka pasur disa raste të tilla, kryesisht nga nxënës. Në përgjigje të sulmit të së martës, autoritetet në disa rajone ruse urdhëruan inspektime të gjera të sigurisë në shkolla.
Media ruse tha se autori i sulmit ishte një ish-nxënës i shkollës i cili thuhet se e quante veten “zot” në llogarinë e tij në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe kishte thënë se do të “vriste” shumë vetë në mëngjesin e sulmit. Llogaria u bllokua nga Telegram pas sulmit, tha media e pavarur Meduza.
Ligjvënësi rus Alexander Khinshtein tha në Telegram se i dyshuari e kishte marrë liçencën për armë më pak se dy javë më herët dhe shkolla nuk kishte ndonjë siguri përveç një butoni paralajmërimi.
Presidenti rus Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, duke urdhëruar qeverinë t’u jepte të gjithë ndihmën e nevojshme. Zyrtarët rusë premtuan t’u paguajnë familjeve nga 1 milion rubla (afërsisht 13,500 dollarë) secilës dhe 200,000 deri 400,000 rubla (2,700 – 5,400 dollarë) të plagosurve.
Zoti Putin urdhëroi gjithashtu kreun e Gardës Kombëtare të Rusisë, Victor Zolotov të rishikojë rregulloret mbi llojet e armëve të lejuara për përdorim civil. Autoritetet në Tatarstan urdhëruan kontrolle për të gjithë pronarët e armëve në rajon.
Ministria e Emergjencave dërgoi në Kazan një avion me mjekë dhe pajisje mjekësore.
(Zëri I Amerikës)