Niveli i papunësisë për të njëjtin muaj ishte më i ulëti që nga viti 2008
Një lajm i mirë për ekonominë amerikane, e cila muajin e kaluar ka shtuar 165 mijë vende të reja pune dhe niveli i papunësisë ishte më i ulëti që nga viti 2008. Ky lajm ndikoi pozitivisht tek tregu i aksioneve, që shënoi rritje të ndjeshme menjëherë pasi u bë i njohur.
Zyra e Statistikave publikoi sot shifrën e re të papunësisë, atë të muajit prill, që ishte 7,5 për qind, 0,1 për qind më e ulët se në muajin mars. Vendet e punës që u shtuan ishin në fushat e shërbimeve profesionale dhe të biznesit, me pozicione të reja në shitjet me pakicë, në shërbimet e gastronomisë dhe atë shëndetësor.
Por nuk pati shtim të vendeve të punës në fushën e prodhimit, që ze një vend të rëndësihëm tek ekonomia amerikane. Ekspertët thonë se edhe pse papunësia u pakësua në muajt shkurt, mars dhe prill, 11,7 milionë amerikanë vazhdojnë të jenë të papunë.
Kreu i Këshilltarëve të Presidentit për Ekonominë tha se ekonomia amerikane po vazhdon rimëkëmbjen nga recesioni. Zoti Alan Krueger tha se rimëkëmbja mund të ndodhë më shpejt, në se Kongresi do të anulonte shkurtimet arbitrare të buxhetit dhe do t’i zëvendësonte ato me propozimet e administratës Obama për gërshetimin e shkurtimeve me përpjekjet për nxitjen e prodhimit industrial dhe hapjen e vendeve të reja të punës, përmes shpenzimeve në infrastrukturë.