Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania njoftuan të premten se do të bllokonin pasuritë e Presidentit Vladimir Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, në një akt të paprecedentë për të detyruar zotin Putin të ndërpresë sulmin ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki la të kuptohet se sanksionet amerikane nënkuptojnë edhe ndalimin e udhëtimit të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg tha se masat janë një “hap unik në histori ndaj një fuqie bërthamore dhe ndaj një vendi që është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por ato tregojnë sa të bashkuar jemi”.
Nuk është e qartë se çfarë ndikimi konkret do të kenë sanksionet ndaj tyre dhe çfarë pasurish mund të kenë në Evropë.
Ministrat e jashtëm evropianë thanë se sanksione të tjera janë mundshme, përfshirë përjashtimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave ndërbankare SWIFT.
Në një masë tjetër ndëshkimore, Këshilli i Evropës, organizata kryesore evropiane për të drejtat e njeriut, e pezulloi Rusinë, por organizata prej 47 anëtarësh shtoi se Rusia vazhdon të jetë anëtare dhe duhet të respektojë konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. (VOA)