SHBA-BE sytë tek 23 Qershori

Rama pesimist për vëzhguesit e ODIHR-it

 

Nga Dardan Malaj

Bashkimi Evropian do t’i ndjekë zgjedhjet e 23 Qershorit me vëmendje maksimale duke i konsideruar një test për të ardhmen e Shqipërisë. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë në Komisionin Evropian Catherine Ashton ashtu sikurse komisioneri për zgjerimin Stefan Fule janë njëzëri në vlerësimet paraprake. Përmes një deklarate të posaçme ata nënvizojnë se zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri përbëjnë një test thelbësor për institucionet demokratike të vendit dhe progresin drejt Bashkimit Evropian.
“Ne vazhdojmë të ndjekim nga pranë përgatitjet për zgjedhjet ndërsa nënvizojnë nevojën për të zhvilluar një proces në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët e lartë të Brukselit shprehen se inkurajojnë marrjen në konsideratë të konstatimeve të bëra nga raporti i parë i ndërmjetëm i OSBE/ODIHR-it i publikuar pak ditë më parë. “Në këtë kontekst, është gjithashtu me rëndësi që liderët politikë të gjejnë rrugën, të pranueshme për të gjithë, për ta bërë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve plotësisht funksional”, këmbëngulin Ashton dhe Fule.
Ata vlerësojnë se është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë liderëve politikë në Shqipëri dhe gjitha partive për të rikthyer besimin e publikut tek procesi zgjedhor dhe për të krijuar kushtet që rezultatet e zgjedhjeve të pranohen nga të gjitha palët. Edhe më herët Bashkimi Evropian e ka cilësuar procesin e 23 Qershorit me rëndësi në drejti të marrjes së statusit të vendit kandidat dhe më tej në përshpejtimin e proceseve integruese.
Në të njëjtën linjë janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ngulmoi se Brukseli dhe Uashingtoni janë në një linjë kur flasin për rëndësinë e këtij procesi në të ardhmen e vendit.
Pak ditë më parë, klasa politike, me konsensus mblodhi Parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën miratoi tre nisma ligjore për të cilat prej më shumë se një viti nuk kishte pasur një dakordësi. Partitë dhanë dritën jeshile për projektligjin mbi Gjykatën e Lartë, projektligjin mbi administratën publike ashtu sikurse ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Që të treja ishin kërkesa të rreshtuara në opinionin e Komisionit Evropian me qëllim vënien në jetë të propozimit për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Nëse zgjedhjet do të jenë me probleme dhe humbësit nuk do ta pranojnë rezultatin e tyre atëherë gjasat janë që pozitat e Shqipërisë në raport me Bashkimin Evropian të vazhdojnë të jenë problematike. 27 vendet anëtare do ta kenë gjithnjë e më të vështirë për të propozuar dhënien e statusit kandidat e më tej edhe nisjen e negociatave të pranimit në familjen evropiane.
Në një skenar të kundërt, kur zgjedhjet do të zhvilloheshin në përputhje me standardet ndërkombëtare, atëherë rruga e Shqipërisë do të lehtësohej dhe se në muajt e vjeshtës mund të jetë “shpërblimi” i parë i dhënies së statusit.
Raporti final i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit pritet të publikohet dy muaj pas zgjedhjeve çka përkon pikërisht me fillim shtatorin kur Brukseli mund ta rifusë në axhendë Shqipërinë.
Por situata nuk duket dhe aq pozitive ndërsa lideri i opozitës Edi Rama në një intervistë televizive në Albanian Screen me analistin Janush Bugajski u shpreh se nuk beson tek misioni i monitorimit të OSBE/ODIHR-it.
“Është opinioni im personal! Nuk besoj në monitorim në termat e nevojës për të parandaluar atë që mund të ndodhë. Sepse ao çfarë ka ndodhur më parë ka qenë gjithnjë në fakt i kryer. Një fakt i kryer i shoqëruar me një ndjesi të tmerrshme dobësie nga ana e komunitetit ndërkombëtar përballë asaj që ka ndodhur. Pra, monitorët më duken si spektatorë në një mort dhe shpresoj se s’do ndodhë kështu”, u shpreh Rama në “Bugajski hours”.