Aqaba (Jordani), 14 dhjetor 2024 – Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Turqisë, Bashkimit Evropian dhe shteteve arabe, janë takuar të shtunën në Jordani për të biseduar për Sirinë, teksa fuqitë rajonale e globale tentojnë të kenë ndikim në atë që do të ndodhë pas rrëzimit të regjimit brutal të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Administrata në shkuarje e presidentit amerikan, Joe Biden, ka krijuar kontakte me grupet rebele që kanë rrëzuar Assadim, përfshirë grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili nisi një ofensivë të befasishme, e cila rezultoi me kapje të Damaskut në fundjavën e kaluar.
Biden e ka dërguar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në rajon këtë javë, në kërkim e sipër të mbështetjes për parimet që Uashingtoni beson se do t’i ndihmonin Sirisë për tranzicion politik, përfshirë respektimin e minoriteteve.
Ndërkohë, fqinja veriore e Sirisë, Turqia, e cila ka kërkuar me vite rrëzimin e Assadit, pritet të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimet në Damask.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka thënë të premten se ambasada e shtetit të tij në Damask, do të rifillojë punën të shtunën, pas një vizite të shefit turk të inteligjencës më herët gjatë javës.
Rusia dhe Irani, mbështetësit kryesorë të Assadit, nuk janë ftuar në takimin e së shtunës.
Në diskutime kanë marrë pjesë, Blinken, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, diplomati turk, Fidan, si dhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë, Arabisë Saudite, Irakut, Libanit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit dhe Katarit.
Në tavolinë të diskutimeve nuk ka qenë asnjë përfaqësues sirian, ndërsa diplomatët arabë janë takuar edhe ndaras.
Blinken ka thënë kjo kohë përbën edhe “mundësi, por edhe sfidë të madhe” për Sirinë.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, të dyja vende anëtare të NATO-s, kanë interesa të ndryshme kur është fjala për rebelët që kanë mbështetur në Siri.
Regjimi brutal i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.
Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin.
Në vjetët e fundit, HTS-ja, grup militant islamist, i ka prishur lidhjet me Al-Kaidën, dhe ka tentuar të prezantohet si alternativë pragmatike ndaj Qeverisë siriane.
Megjithatë, ka shqetësime për abuzime që ka kryer grupi, si dhe për lidhjet me grupe tjera terroriste.
HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.