Në kryeqytetin amerikan Uashington do të rihapen muzeumet gjatë javëve në vazhdim ndërsa po bien rastet e të infektuarve nga koronavirusi. Megjithëse muzeu i famshëm për ajrin dhe hapësirën në kryeqytet është ende i mbyllur, vizitorët po shijojnë që tani muzeun e dytë të kushtuar hapësirës, i ndodhur në shtetin fqinj Virxhinia.
Megjithëse Muzeu i famshëm Kombëtar Smithsonian i Ajrit dhe Hapësirës i ndodhur në Shëtitoren Kombëtare në kryeqytetin amerikan mbetet i mbyllur për shkak të COVID-19, muzeu i dytë i kushtuar hapësirës, i ndodhur në Fairfax, të shtetit Virxhinia, u hap këtë javë për vizitorët.
Shumë më tepër muze në mbarë kryeqytetin amerikan do të hapen në javët në vazhdim, pasi më shumë amerikanë po vaksinohen dhe jeta po rikthehet në një lloj normaliteti.
Christopher Browne, drejtori i përkohshëm i muzeut Smithsonian për ajrin dhe hapësirën thotë se protokollet për COVID-in mbeten në fuqi në Qendrën “Udvar Hazy” dhe vizitorëve u duhet një leje me limit kohor për të parë ekspozitat.
“Vendimi për ta hapur Hazy-in përpara të tjerëve bazohej vërtet në përvojën që përfituam verën e kaluar, por edhe në natyrën e objektit që ofron akomodimin e lehtë të vizitorëve duke ruajtur ende protokollet ndaj COVID-it”, tha zoti Browne.
“Si amerikan, jam sigurisht i lumtur që e shoh këtë vend të rikthehet në normalitet. Kjo rihapje e muzeut është një shenjë se po rikthehemi drejt diçkaje më normale. Mendoj se është e mrekullueshme”, tha Karim Ani, i cili e vizitoi muzeun nga Aleksandria, Virxhinia.
Muzeu u hap për herë të parë në dhjetor 2003 dhe organizata Smithsonian thotë se është muzeu më i vizituar në Virxhinia dhe tërheq mbi një milion vizitorë në vit.
“Është mirë të kesh një muze të inteligjencës, siç është ky, një muze i krijimtarisë dhe zgjidhjes së problemeve. Ndoshta është një metaforë për atë çfarë kemi humbur, por edhe një kujtesë për atë çfarë mund të rifitojmë”, thotë zoti Ani.
Në muze gjendet edhe avioni Boeing B-29 Superfortress “Enola Gay”, i cili hodhi bombën e parë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe avioni i parë komercial supersonik, Concorde, dhe Anija Hapësinore Discovery. (VOA)