27 nga 700 kandidatë morën certifikatën e diplomimit pas trajnimit nga FBI-ja për të qenë hetues të BKH-së
Knid Ndrenika
Zëvendësambasadori i ri amerikan në Tiranë, Damien Smith tha se Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe se reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë, por po jep rezultate.
Mesazhi i parë i zotit Smith, një shqipfolës i mirë, një javë pas mbërritjes në detyrën e re në Tiranë, Tiranë ishte tepër i qartë:
“BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”.
Zoti Smith i bëri komentet në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (FBI) me Kandidatët për Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri.
“Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë”-u tha zëvendësambasadori Smith drejtuesve të SPAK-ut, Arben Kraja, BKH-së, Aida Hajnaj, kandidatëve dhe familjarëve.
Kandidatët morën certifikatën e diplomimit për të qenë hetues të BKH-së, përkatësisht 27 nga 700 që ia dolën mbanë dhe siç u tha zoti Smith “jeni më të mirët e më të mirëve”:
“Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”-tha zoti Smith.
Fjala e Zëvendës Ambasadorit Demian Smith në Aktivitetin për Përfundimin e Trajnimit të FBI-së nga Kandidatët për Hetues të BKH-së
Ju faleminderit të gjithëve. Unë jam Demian Smith, zëvendës ambasador i SHBA dhe kam ardhur në Shqipëri një javë më parë. Në fakt, kjo është veprimtaria ime e parë zyrtare jashtë Ambasade.
Nuk mund të mendoj për një aktivitet të parë zyrtar më të mirë sesa të jem këtu me ju. Ju sjell përshëndetjet dhe urimet më të sinqerta nga Ambasadorja Kim.
Shpresoj që nuk është problem nëse flas anglisht, pasi dua të jem i saktë mbi atë se sa e rëndësishme është dita e sotme për ju dhe për Shqipërinë.
Drejtore Hajnaj, Drejtues Kraja, Shef i Seksionit Rodriguez, anëtarë të trupës pedagogjike, familjarë dhe miq, dhe më e rendësishmja klasa e BKH-së për vitin 2021. Në emër të Ambasadores Yuri Kim dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara: urime për arritjen tuaj!
Sot, kur të ecni nëpër këtë platformë, do të merrni certifikatën e diplomimit tuaj. Do të bëheni hetues të BKH-së. Nga 700 kandidatë, ju jeni të 27-ët që ia dolët mbanë, jeni më të mirët e më të mirëve. Vendi juaj ka nevojë për ju, do të hetoni disa nga krimet më të rëndësishme në këtë vend – korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ju jeni shembull guximi dhe përkushtimi që bëtë përpara për t’i shërbyer vendit tuaj gjatë kësaj kohe të rëndësishme.
FBI-ja filloi gjithashtu me një klasë të vogël të diplomuarish. Në fillim të shekullit të 20 -të, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara nuk kishte agjentët e vet të ligjzbatimit. Në vitin 1908, Kongresi krijoi Byronë e Hetimit.
Klasa e parë e FBI-së ishte vetëm me 34 agjentë. Që nga ai fillim modest, FBI-ja është bërë një agjenci e domosdoshme që e mban vendin tonë të sigurt dhe që mbron institucionet tona demokratike. Ekziston një arsye për suksesin e FBI-së: burra dhe gra të përkushtuar që punojnë çdo ditë për të mbështetur misionin e FBI-së.
Ashtu si klasa e parë e agjentëve të FBI, ju keni mundësinë unike për të ndihmuar në ndërtimin e një BKH më të fortë dhe më të aftë. Trashëgimia juaj, që do të bëhet pjesë e historisë krenare të Shqipërisë, do të jetë një kontribut i madh për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Dhënia e drejtësisë për bashkëqytetarët tuaj është një mision i rëndësishëm dhe sfidues. Siç tha Presidenti John F. Kennedy për programin tonë hapësinor në Hënë, ne i bëjmë këto gjëra “jo sepse janë të lehta, por sepse janë të vështira”. Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ju e bëni sepse është e vështirë. Dhe tani po shohim rezultate. Të gjitha institucionet e krijuara nga miratimi i Reformës në Drejtësi në vitin 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Vjet në këtë kohë, Ambasadorja Yuri Kim e uroi Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnajt si Drejtoresha e parë e BKH-së, duke shënuar një gur kilometrazhi kyç në zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.
Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar.
Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së.
Faleminderit shumë të gjithëve. Përsëri, ju lutem pranoni urimet më të mira nga Ambasadorja Kim dhe unë, si dhe nga e gjithë qeveria amerikane. Ne jemi shumë krenarë që të quajmë Shqipërinë, mike.