Uashington, 5 tetor 2022 – Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës janë nisur për në Kosovë, në një mision nëntëmujor që në fokus e ka garantimin e sigurisë për kosovarët.
Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë së Divizionit të 38-të të Këmbësorisë, i cili përfshin afërsisht 20 ushtarë nga Indiana Veriperëndimore, u nis nga kampi Atterbury të shtunën, si Task Force Nighthawk. Gjatë rrugës për në Kosovë u ndal në Gjermani, raporton the Times.
Kur të arrijnë në Kosovë, ushtarët e task-forcës do të udhëheqin Komandën Rajonale – Lindje, nën autoritetin e NATO-s,në mbështetje të Operacionit Joint Guardian, një mision shumëkombësh që ruan lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që nga viti 1999.
“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta, dhe se qëllimi ynë i përbashkët për shtete të pavarura, multietnike me shoqëri që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor është realizuar”, ka thënë gjeneralmajori Dale Lyles.
Hoosiers janë rotacioni i 31-të i forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara me bazë në Kampin Bondsteel në Kosovë.
Koloneli Chris Mabis, udhëheqës i Task Force Nighthawk, gjatë ceremonisë së nisjes, tha se ushtarët e Gardës Kombëtare të Indianës “përfaqësojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar”.
“Të gjithë ata që janë këtu janë ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësues të Hoosierit”, tha Mabis.
Ai gjithashtu falënderoi familjet e ushtarëve që lejuan anëtarët e tyre të përfaqësojnë Indianën dhe Shtetet e Bashkuara dhe t’u shërbejnë njerëzve në nevojë, larg shtëpive të tyre.
Kujtojmë se trupa nga Polonia, Zvicra, Letonia, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia po ashtu shërbejnë në Komandën Rajonale – Lindje në Kosovë që prej përfundimit të luftës.
Ndryshe, 635 trupa amerikane aktualisht shërbejnë në misionin paqeruajtës në Kosovë.
(Telegrafi)