SHBA dhe BE e mirëpresin vendimin e Qeverisë për pronën rreth Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 13 mars 2024 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) e kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që ta urdhërojë Agjencinë Kadastrale të Kosovës t’ia bart  Manastirit të Deçanit pronësinë ndaj 24 hektarëve tokë dhe pyll sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e cilësoi këtë vendim të qevëerisë si “vemndim të vështirë, port ë domosdoshëm”.

“Dua të përmend se është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, tha Escobar të mërkurën në Prishtinë, në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Sunzyog, në një postim në platformën “X” ka thënë se kjo është “një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë”.

“Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit dhe Regjistrimit të truallit të Manastirit më në fund bëhet realitet. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Sunzyog.

Ai ka thënë se vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e 24 hektarëve tokë e pyll në afërsi të Manastirit të Deçanit e ka përshëndetur edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rohde ka thënë se ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit.

“Më në fund u bë. Edhe pse zbatimi i vendimit të Gjykatës së Kushtetues ishte shumë i vonuar, shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit”.

“Ne urojmë Qeverinë e Kosovës, të gjithë akterët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit në këtë moment historik”, ka shkruar ambasadori gjerman.

(r.m.)