SHBA dhe BE presin që Serbia të jetë përkrah tyre pas agresionit rus në Ukrainë  

Uashington, 22 shkurt 2022 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) shpresojnë se Serbia do të mbajë qëndrim të njëjtë me Perëndimin lidhur me agresionin e Rusisë në Ukarainë.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se Serbia do të qëndrojë në krah të Bashkimit Evropian në respektimin e të drejtës ndërkombëtare për të ruajtur paqen, prosperitetin dhe stabilitetin  në mbarë rajonin”, ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Ai ka shfaqur shpresën se Serbia do të mbajë qëndrim të njëjtë me Perëndimin lidhur me njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainën lindore dhe me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

“Uashingtoni e përshëndet deklaratën e Presidentit Vuçiq se Serbia e kupton rëndësinë e respektimit të integritetit territorial të Ukrainës”, është shprehur ai.

Ndërkaq zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Brukseli pret që edhe Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim  në BE, ta respektojë vendimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nga shtetet në procesin e anëtarësimit pritet t’i respektojnë vendimet e BE-së. Serbia është vend kandidat, prandaj pritet që ajo të respektojë vendimet e BE-së në sferën e politikës  së jashtmedhe të sigurisë”, ka thënë Stano për Zërin e Amerikës.

Ai ka theksuar se sanksionet ndaj Rusisë janë të obligueshme si për vendet anëtare të BE-së ashtu edhe për vendet që dëshirojnë t’u bashkohen atyre.

(r.m.)