Zëri i Amerikës
Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të përparojnë me planet për të ndihmuar më tej opozitën siriane dhe për të ndërtuar një Siri të re pa presidentin Bashar al-Asad.
Zoti Obama foli gjatë një konference të përbashkët shtypi pas një takimi sot me Kryeministrin britanik David Cameron në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për opozitën e moderuar siriane. Ai tha gjithashtu se të dyja vendet janë duke punuar për të ndihmuar në krijimin e një organi kalimtar për të qeverisur Sirinë në një takim të ardhshëm ndërkombëtar të nivelit të lartë.
Zoti Cameron tha se ka një “dritare urgjente mundësish” në Siri para se botë të shoh të realizohet “frika më e keqe”. Ai u zotua për të rritur mbështetjen për elementët e moderuar të opozitës siriane, duke thënë se “nëse ne nuk punojmë me atë pjesë të opozitës, atëherë nuk duhet të habitemi nëse elementët ekstremistë shtohen.”
Vizita e kryeministrit britanik pason takimin e javës së kaluar me Presidentin rus Vladimir Putin në qëndër të të cilës ishte po gjendja në Siri. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia synojnë të organizojnë një konferencë ndërkombëtare në Gjenevë për t’i kërkuar presidentit sirian Bashar al-Asad dhe forcave kryengritëse që kërkojnë largimin e tij nga pushteti, të fillojnë bisedime paqeje.
Qeveria e Sirisë nuk ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë, ndërsa grupi kryesor i opozitës ka kërkuar që cilado qoftë marrëveshja e ardhshme ajo duhet të parashikojë largimin e zotit Asad nga pushteti. Presidenti Obama dhe kryeministri Cameron po ashtu diskutuan edhe për takimin e Grupit të 8-shes, që zhvillohet muajin e ardhshëm në Irlandën e Veriut.