SHBA dhe NATO kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarit Gershkovich

Uashington / Bruksel, 7 prill 2023 – Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë kërkuar Rusisë që të lirojë menjëherë gazetarin Gershkovich, si dhe shtetasin amerikan Paul Whelan, i cili po vuan dënimin me 16 vjet burg në Rusi, për spiunazh.

Gazeta Wall Street Journal tha se ishte thellësisht i shqetësuar për sigurinë e Gershkovich, hodhi poshtë pretendimet e FSB-së dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Kjo gazetë amerikane kujtoi se në artikullin e fundit të disa ditëve më parë, Gershkovich shkroi për ekonominë ruse dhe sesi Kremlini duhet të përballet me rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Më 3 prill, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi lirimin e Gershkovichit dhe e vlerësoi arrestimin e tij si shumë shqetësues.

“Është e rëndësishme të respektohet liria e medias, të drejtat e gazetarëve, e drejta për të bërë pyetje dhe për të bërë punën e tyre”, tha Stoltenberg.

Lidhur me rastin, më herët kanë biseduar me telefon kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Antony Blinken.

“Është e papranueshme që zyrtarët e Uashingtonit dhe mediat perëndimore të bëjnë bujë me qëllimin e qartë për t’i dhënë dimension politik këtij rasti”, ka thënë Lavrov, raportoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme.

Antony Blinken pastaj kërkoi edhe një herë që Evan Gershkovich të lirohej menjëherë dhe deklaroi se paraburgimi i këtij gazetari ishte i papranueshëm.

(REL)