Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, kanë nënshkruar një tekst të përditësuar për partneritet strategjik, që rikonfirmon se marrëdhënia në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës është e bazuar në vlerat e përbashkëta.
Dokumenti tregon në hollësi për bashkëpunimin në mes të dyja shteteve në siguri, mbrojtje, demokraci, sundim të ligjit, ekonomi dhe sektorin e energjisë.
Shtetet e Bashkuara po ashtu janë zotuar se do t’i mbështesin përpjekjet e Ukrainës për të luftuar agresionin dhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë, duke përfshirë sanksione ndaj Rusisë dhe masa tjera të ngjashme.
Kuleba ka theksuar rëndësinë e mbështetjes nga SHBA-ja dhe ka thënë se Ukraina do të përfitojë nga secili bashkëpunim për mbrojtje që do të forconte kapacitetet e saj, përfshirë këmbimin e inteligjencës.
“Jemi në një situatë ku nuk mund të lejojmë që të humbim më shumë kohë dhe mezi presim të punojmë me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim”, ka thënë Kuleba.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se Rusia do të bënte “gabim serioz” nëse tenton të përsërisë atë që ka bërë më 2014 në Ukrainë, dhe ka thënë se Uashingtoni është i shqetësuar nga raportimet për “aktivitet të pazakonshëm ushtarak” afër kufirit me Ukrainën.
Të dy diplomatët janë takuar në kohën e rritjes së shqetësimeve në Ukrainë dhe disa pjesë të Evropës për prezencën e forcave ushtarake ruse rreth 260 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe jo shumë larg prej kufirit me Bjellorusinë.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë javën e kaluar se 90,000 trupa janë në këto lokacione, pavarësisht përfundimit të stërvitjeve ushtarake, dhe kur është pritur të trupat të kthehen në bazat e rregullta.
Blinken u ka thënë gazetarëve se autoritetet amerikane nuk i kanë të qarta qëllimet e Rusisë në Ukrainë, mirëpo përkushtimi i Uashingtonit për integritetin territorial të Ukrainës është “i hekurt”.
Blinken ka përmendur edhe krizën në rritje në Bjellorusi, ku mijëra persona -kryesisht nga Lindja e Mesme – janë bllokuar në kufi me Poloninë dhe Lituaninë.
Të dyja shtetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë angazhuar forca shtesë në kufi. (REL)