Uashington, 3 tetor 2023 – Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara votoi për shkarkimin e kryetarit të saj, Kevin McCarthy. 216 nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan pro shkarkimit të tij dhe 210 kundër.
Kjo është hera e parë e shkarkimit të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në historinë e SHBA-së.
Mocioni për shkarkimin e zotit McCarthy ishte paraqitur nga ligjvënësi Matt Gaetz, nga radhët e Partisë Republikane të zotit McCarthy.
Zoti Gaetz e kishte akuzuar zotin McCarthy se nuk ka bërë sa duhej për të shkurtuar shpenzimet federale.
Marrëdhëniet mes McCarthyt dhe Gaetz u përkeqësuan kur McCarthy e shtyu mbylljen e Qeverisë me ndihmën e demokratëve që u pajtuan për financimin shtesë të agjencive qeveritare.
Sipas rregulloreve të Dhomës së Përfaqësuesve, kryetarit i kërkohet të paraqesë listën e anëtarëve që do të mund të shërbenin si zëvendësues të përkohshëm të tij, nëse ai e liron pozitën.
Sipas rregullores, pas shkarkimit të McCarthyt, anëtari në krye të listës do të emërohej kryetar i përkohshëm, deri në organizimin e zgjedhjeve të liderit të ri të përfaqësuesve të partisë më të madhe.
(r.m.)