SHBA do të japë edhe 2 miliardë dollarë nidhmë ushtarake për Ukrainën

Uashington, 24 shkurt 2023 – Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës një ndihmë shtesë prej 2 miliardë dollarësh për sigurinë, tha të enjten këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

“Ne do të vazhdojmë të shikojmë se çfarë është e nevojshme, dhe do të sigurohemi që të ofrojmë atë që i nevojitet Ukrainës për të pasur sukses në fushëbetejë”, tha Sullivan.

Ai tha se vendet e G7-ës, që përbëhen nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të shpallin të premten një raund të ri sanksionesh që do të përfshijnë edhe vendet që po përpiqen të ofrojnë ndihmë për Rusinë.

“Do ta shihni me kalimin e kohës ndryshkjen e vazhdueshme të kualitetit dhe kapacitetit të ekonomisë ruse, përkundër faktit që Putini nxiton të shpenzojë para në përpjekje për ta ngjallur atë”, tha Sullivan.

I pyetur në lidhje me kërkesën e Ukrainës për avionët luftarakë F-16, Sullivan tha nga këndvështrimi i Uashingtonit, “F-16 nuk janë një çështje për luftën afatshkurtër; F-16 kanë të bëjnë me mbrojtjen afatgjatë të Ukrainës”.

Më 20 shkurt, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë, presidenti amerikan Joe Biden tha se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Biden, gjithashtu paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër shtetit rus.

SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase.

Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.

(REL)