Uashington, 21 shkurt 2022 – Presidenti amerikan, Joe Biden, do të lëshojë një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë “investimet e reja, tregtinë dhe financimin e personave amerikanë nga dhe drejt” dy rajoneve në lindje të Ukrainës, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka njohur si entitete të pavarura të hënën, më 21 shkurt, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Ky urdhër do të “ofrojë autoritet për të vendosur sanksione ndaj secilit person që vërtetohet se vepron në këto zona të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, përmes një deklarate për publikun.
Psaki ka thënë se këto masa do të zbatohen shpejt dhe se ato janë të ndara nga sanksionet që SHBA-ja dhe aleatët i kanë përgatitur nëse Rusia e pushton Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se me vendimin për njohjen e këtyre dy rajoneve janë informuar Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Putin, në fjalimin e tij drejtuar kombit rus, ka thënë se “Ukraina moderne është krijuar nga Rusia”.
Ndërkohë që Putini mbante fjalim, trupat qeveritare të Ukrainës kanë thënë se në vijën e parë të frontit, në pjesën lindore të Ukrainës janë sulmet e separatistëve pro-rusë me armë të rënda.
(r.m.)