SHBA do të sekuestrojë avionin e miliaderit rus Andrei Skoch

Uashington, 8 gusht 2022 – Autoritetet amerikane kanë marrë një urdhër për sekuestrimin e avionit privat të një oligarku rus, me vlerë mbi 90 milionë dollarë, për shkeljen e sanksioneve amerikane për pushtimin rus të Ukrainës, raporton CNN.

Autoritetet thanë se avioni Airbus A319-100 është në pronësi të miliarderit Andrei Skoch, anëtar i Dumës Shtetërore të Rusisë.

Sipas prokurorëve federalë amerikanë, avioni i Skoch aktualisht ndodhet në Kazakistan.

Task-forca KleptoCapture e Departamentit të Drejtësisë synon të godasë oligarkët rusë të sanksionuar nga SHBA dhe pasuritë e tyre, për shkak të mbështetjes së agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Andrei Skoch ka qenë në listën e sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2018, për shkak të mbështetjes së pushtimit nga Rusia të Krimesë, rajonit lindor të Ukrainës. Sivjet SHBA-ja vendosi sanksione shtesë kundër Skoch dhe aseteve të tij, për shkak se ai po i mbështet operacionet e Kremlinit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

The Associated Press raporton se 56-vjeçari Andrei Skoch, baba i 10 fëmijëve, tashmë e ka zhvendosur në Dubai superjahtin e tij “Madame Gu”, me vlerë prej 156 milionë dollarësh, për të shmangur konfiskimin.

Andrei Skoch është pjesërisht pronar i kompanisë së çelikut “Lebedinsky Mining”, e cila tani është pjesë e konglomeratit “Metaloinvest”.

Sipas Forbes, ai gjendet në listën e njerëzve më të pasur në botë. Pasuria e tij llogaritet 6.2 miliardë dollarë.

(r.m.)