Dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan po neglizhon mbështetjen për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Nga Eliot L. Engel, Revista “Foreign Policy”
Si ish-kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe gjatë më shumë se 30 viteve në Dhomën e Përfaqësuesve, kam ndjekur nga afër politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit dhe kam qenë i kënaqur nga mbështetja e Uashingtonit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për të luftuar korrupsion. Por, megjithëse në përgjithësi mbështes atë që po bën administrata e Presidentit Joe Biden brenda dhe jashtë vendit, kam shqetësime për trajtimin e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës e njohën Republikën e Kosovës në vitin 2008, kur ky vend i vogël shpalli pavarësinë nga Serbia. Më pak se një dekadë më parë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kishin ndaluar spastrimin e egër etnik të popullatës shqiptare etnike të Kosovës nga ish-diktatori jugosllav Slobodan Millosheviq. Ishte një sukses i madh i politikës së jashtme për Perëndimin dhe u pasua nga vite të tëra të mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për Kosovën. Por që atëherë, Serbia dhe Rusia kanë bllokuar përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara dhe për të fituar njohjen e plotë në mbarë botën dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kohët e fundit është dukur më pak i gatshëm për të mbështetur ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj.
Gjatë këtij viti, Kosova ka dashur të kryejë funksionet normale të qeverisjes brenda kufijve të saj por është përballur me kritika madje edhe ndëshkimin nga Shtetet e Bashkuara. Kur Kosova u përpoq që të gjithë qytetarët e saj, përfshirë serbët etnikë në veri, të përdorin targat e saj dhe jo ato të Serbisë, Departamenti i Shtetit kritikoi ashpër Kosovën. Kur Kosova kërkoi që kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë legjitime, (shqiptarë etnikë për shkak se serbët etnikë bojkotuan votimin), të fillonin punën në zyrat e tyre në veri të Kosovës – një funksion themelor dhe normal i një qeverie demokratike – Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken “dënoi ashpër” republikën e re dhe vendosi sanksione ndaj saj.
A e dënoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandar Vuçiq për presionin ndaj serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet? Jo. A e dënoi grupin e vogël të serbëve që sulmuan trupat e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi—dënoi dhunën, por nuk përmendi sulmuesit. A e dënoi Serbinë për nxitjen e qytetarëve serbë etnikë të veriut të Kosovës që të refuzojë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, të cilat, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përbëjnë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”? Përsëri, sa për sy e faqe, në mos fare.
Me keqardhje kam arritur në përfundimin se në mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni ka ledhatuar një gjysëm-autokrat bullizues – si Vuçiqi – dhe është bërë vetë bullizues, duke i bërë presion dhe kërcënuar palën më të vogël e më të dobët, Kosovën . Është sjellje e cila nuk i ka hije Shteteve të Bashkuara dhe është koha për të rimenduar qasjen.
Serbia është duke u larguar nga demokracia dhe Perëndimi që kur Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit erdhi në pushtet në Beograd më shumë se një dekadë më parë. Sipas Freedom House, një organizatë joqeveritare që vëzhgon të drejtat e njeriut dhe liritë civile në mbarë botën, SNS në pushtet “ka gërryer në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën politike dhe organizatat e shoqërisë civile”. Për më tepër, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së raportoi në vitin 2019 se “pas zgjedhjeve në Serbi të vitit 2012, SNS ndërmori hapa për të rritur marrëdhëniet e saj ushtarake me Rusinë”. Që atëherë, lidhja Moskë-Beograd ka nuk është ndalur. Në fakt, Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës – gjë që e ka bërë çdo vend tjetër në Evropë (përveç Bjellorusisë).
SHBA ka thelluar angazhimimin me presidentin gati autokratik të Serbisë dhe kanë riorientuar qëndrimin e tyre rajonal sipas prioriteteve të politikës së jashtme të Beogradit.
Pra, çfarë po ndodh këtu? Pse SHBA nxiton të dënojë Kosovën por ngurron që të kritikojë Serbinë? Dhe si ta ndalojmë këtë rrokullisje dhe t’i rikthehemi arsyes në qasjen e SHBA-së?
Unë besoj se për shkak të luftës në Ukrainë, dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan ka lënë në hije mbështetjen për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Presidenti amerikan meriton përgëzime të mëdha për mënyrën se si administrata e tij po udhëheq Perëndimin në mbështetje të Ukrainës. Por dëshira e tij e zjarrtë për të ruajtur stabilitetin në Evropë ka shtrembëruar vizionin e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës. Uashingtoni tani po merr me të mirë Vuçiqin në një përpjekje për të qetësuar prirjen e tij për të krijuar kriza.
Natyrisht, SHBA duan që Serbia dhe Kosova t’u bashkohen institucioneve kyçe euro-atlantike, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si shtete paqësore dhe demokratike. Por në këtë moment, administrata e Bidenit duhet të mbështesë Kosovën që po forcon demokracinë dhe konsolidon sovranitetin. Në vend të kësaj, ajo po bllokon Prishtinën nga frika se mos Beogradi gjysmë-autokratik mund të nxisë fyrmën nacionaliste dhe t’i vërë flakën fuçisë së barutit që ka kultivuar në veri të Kosovës.
Diplomatët amerikanë argumentojnë se sikur vetëm Kosova të pranonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASMM) – një shoqatë e propozuar e komunitetit me një farë aftësie për të koordinuar aktivitetet lokale – në veri të saj, atëherë të gjithë mund të ecnin përpara. Po. Kosova ka premtuar krijimin e ASMM-së në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe duhet ta bëjë këtë. Por ASMM nuk do ta zgjidhë problemin themelor – kundërshtimin agresiv të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës – i cili vetëm sa shtohet kur Uashingtoni shpërblen Vuçiqin megjithë prapësitë e tij. Në fund të fundit, nëse do të krijohej ASMM, të njëjtat palë me të njëjtat interesa do të tërheqin të njëjtat leva për të arritur të njëjtat synime. Dhe Vuçiç do të vazhdojë të nxisë separatizmin dhe dhunën.
Natyrisht, është mirë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë përpjekur të avancojnë normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Megjithatë, normalizimi do të thotë gjëra mjaft të ndryshme për secilën palë.
Ndërkohë, marrja me të mire e Serbisë nuk po jep fryte dhe është koha për të ndryshuar kursin. Administrata Biden ndërmori hapin e parë në këtë drejtim, javën e kaluar, kur Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj shefit të spiunazhit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për shkak të “korrupsionit të avancuar … duke përfshirë pjesëmarrjen në një rrjet të trafikut të drogës” dhe duke përdorur “pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.” Por këto aktivitete kanë vazhduar në mbarë qeverinë serbe për vite me radhë, ndaj duhet t’i thuhet se është koha për të bërë një shkëputje të vërtetë me të kaluarën.
SHBA duhet të mbështesë demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtypin e lirë, si dhe të kundërshtojë korrupsionin. Këto aspekte janë në rënie në Serbi, por janë në rritje në Kosovë. I bëj thirrje administratës Biden që t’i kthehet parimeve: Rifokusimi te vlerat e SHBA-së dhe ndalimi i bullizimit të Kosovës. Dhe administrata duhet të riorientojë politikën e saj në Ballkan për të mbështetur ata që i përqafojnë ato prioritete dhe të t’u tregojë vendin atyre që nuk i përqafojnë.
Eliot L. Engel është ish-kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan Ai shërbeu në si kongresist nga 1989 në 2021.
More about this source text
Source text required for additional translation information
Send feedback
Side panels