SHBA e mirëpret certifikimin e Listës Serbe: Procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndërhyrje politike

Prishtinë, 31 dhjetor 2024 – Ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka përshëndetur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlam,entgare të 9 shkurtit në Kosovë.

Ambasada ka thënë se është e kënaqur që institucionet e Kosovës kanë përmbushur rolet e tyre të cilat janë thelbësore për një demokraci gjithëpërfshirëse.

Ajo ka thënë se është e kënaqur që të gjithë kandidatët janë certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush zgjidhet sipas sistemit demokratik të Kosovës dhe të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo tentim për të politizuar procesin zgjedhor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka thënë të martën se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se vendimet PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që drejton, dhe që këtë çështje e konsideron të mbyllur.

“Vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm, ndërsa sipas nenit 118, vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për KQZ-në”, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*