SHBA e mirëpret ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë

Prishtinë, 12 shtator 2024 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e vlerëson punën e Prokurorisë Speciale e Kosovës, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për organizimin dhe kryerjen e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë deklaroi për Telegrafin se SHBA e vlerëson përfundimin e hetimeve për rastin Banjska.

“Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për përfundimin e hetimit të sulmit në Banjskë dhe ngritjen e aktakuzës. Ka kaluar gati një vit nga ky krim brutal që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Telegrafin.

Ambasada e SHBA-së gjithashtu inkurajon respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar durim derisa ky rast kompleks të trajtohet në gjykata. Ajo përsëriti mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit, drejtësinë për të gjithë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë.

Edhe Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, vitin e kaluar, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë. This image has an empty alt attribute; its file name is Pjesetaret-e-grupit-terrorist-serb-ne-Banjske.jpg

Kryeministri  Albin Kurti tha të enjten në Prishtinë se aktakuza ka mundur të ngrihej më herët, por, sië u shpreh, “më mirë vonë se kurrë”.

Ai e përsëriti kërkesën e autoriteteve kosovare që Serbia të bashkëpunojë dhe ta dorëzojë tek ato Radoiçiqin, sepse ai “e ka kryer krimin në Kosovë, e Banjska është në Zveçan të Kosovës”.

Në fund të vitit të kaluar, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

(Telegrafi)