SHBA e mirëpret vendimin e presidentit të Koresë së Jugut për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Uashington, 4 dhjetor 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se ai mirëpret vendimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për të anuluar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

“Ne vazhdojmë të presim që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha sekretari Blinken përmes një deklarate të martën vonë.

Më herët zyrtarët amerikanë thanë se po ndjekin “me shqetësim të thellë” situatën në Korenë e Jugut, ku presidenti Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke përmendur nevojën për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtetërorë.

Disa orë më vonë, zoti Yoon hoqi gjendjen e jashtëzakonshme pasi ligjvënësit e Koresë së Jugut votuan kundër vendimit të tij dhe protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit.

Të befasuar, zyrtarët amerikanë po angazhohen në mënyrë aktive me homologët e tyre koreano-jugor në Uashington dhe Seul, duke mbledhur fakte dhe duke vlerësuar situatën në terren.

“Ne nuk u njoftuam paraprakisht për vendimin e Presidentit Yoon”, u tha në një konferencë për shtypin zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel të martën.

“Nuk kam asnjë vlerësim mbi kërcënimin nga Koreja e Veriut në kontekstin e kësaj situate”, tha zoti Patel për Zërin e Amerikës kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë informacion për kërcënime specifike në 24 orët e fundit nga Koreja e Veriut.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Seul njoftoi anulimin e takimeve të zakonshme konsullore me qytetarët amerikanë dhe aplikantët për viza të mërkurën.

Ambasada u kërkoi gjithashtu qytetarëve amerikanë në Korenë e Jugut që të ndjekin lajmet lokale, udhëzimet zyrtare, të shmangin zonat, ku po zhvillohen protesta dhe të kenë kujdes pranë tubimeve të mëdha ose protestave, sepse edhe protestat paqësore mund të përshkallëzohen papritur.

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, tha më herët të martën se Shtetet e Bashkuara po ndjekin “me shqetësim të thellë” zhvillimet në Korenë e Jugut dhe shpreson dhe pret që “çdo mosmarrëveshje politike të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”.

Presidenti Joe Biden, këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, janë informuar mbi zhvillimet në Seul, sipas zotit Campbell.

Presidenti Biden u informua për zhvillimet më të fundit në Korenë e Jugut, ndërsa ai po udhëtonte drejt hotelit të tij në Luanda, kryeqyteti i Angolës. Ai ndodhet në udhëtimin e tij të parë në Afrikë si president.

Në Pentagon, zëdhënësi Patrick Ryder u tha gazetarëve gjatë një konference për shtypin se ai nuk besonte se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ndikonte ndjeshëm në rreth 28,500 trupat amerikane të dislokuara në Korenë e Jugut.

Zoti Ryder shtoi se ushtaritë e dy vendeve aleate janë “në kontakt”, por nuk ka patur asnjë kërkesë për ndihmë nga Seuli.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke u zotuar se do të eliminonte forcat “anti-shtetërore” ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit, duke e akuzuar atë për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.

Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut, Woo Won Shik pas votimit e shpalli “të pavlefshëm” vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe theksoi se ligjvënësit “do të mbrojnë demokracinë bashkë me popullin”.

Presidenti Yoon kishte thënë më herët se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua se do të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.

(Zëri i Amerikës)