Sarajevë, 2 tetor 2022 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpritën vendimin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, për përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, më 2 tetor.
“Ky veprim ishte edhe urgjent, edhe i nevojshëm”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Ambasada amerikane në Bosnjë e Hercegovinë.
“Vendimi i përfaqësuesit të Lartë trajton problemet që kanë pllakosur Federatën e Bosnjë e Hercegovinës për shumë vite. Katër vjet pas zgjedhjeve të vitit 2018, Federata nuk ka zbatuar rezultatet dhe Gjykata Kushtetuese e Federatës është pothuajse e paralizuar. Kjo ka privuar banorët e Federatës nga të drejtat e tyre kushtetuese, ka minuar sundimin e ligjit dhe u ka dhënë guxim etno-nacionalistëve në mbarë Bosnjë e Hercegovinën. Së bashku, këto probleme kërcënojnë sovraniteti, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë e Hercegovinës”, thuhet në deklaratë.
Uashingtoni tha se e mbështet fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjës, duke shtuar se është në dorën e liderëve politikë që të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.
Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, u mor pikërisht në ditën kur qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës votuan për zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas rezultateve të para, anëtarë të presidencës kolektive të Federatës së Bosnjës e Hercegovinës do të jenë Zhelko Komshiq (përfaqësues i kroatëve), Denis Beçiroviq (përfaqësues i boshnjakëve) dhe Zhelka Cvijanoviq (përfaqësuese e serbëve). Sipas analistëve, fitorja e dy të fundit është sinjal e çlirimit gradual të shoqërisë boshnjako-hecegovase nga politikat nacionaliste, duke qenë se ata nuk janë kandidatë të partive nacionaliste.
Një sinjal tjetër mund të jetë humbja e besimit të politikës nacionaliste serbe në Republikën Serbe. Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve për president të këtij entiteti, kandidatja e Partisë së Prograsit Demokratik (Partija Demokratskog Progresa – PDP, Jelena Triviq, ka një epërsi të paarritshme nga presidenti aktual, Milorad Dodik. Në të vërtetë PDP e ka shpallur fitoren e zonjës Triviq, por Dodik ende beson se do ta mbajë edhe një mandat tjetër pozitën e presidentit.
Rezultatet zyrtare pritet të publikohen të hënën.
(r.m.)