Prishtinë, 25 mars 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka vlerësuar nderimin që iu bë në Kosovë, ish-sekretares zamerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila u nda nga jeta të mërkurën.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur ditën e sotme Ditë zie për nder të Madeleine Albright, lidershipi i së cilës shpëtoi jetë dhe siguroi siguri dhe prosperitet për brezat e ardhshëm. Faleminderit që sot e kujtuat Madeleine dhe vazhdoni ta nderoni kujtimin e saj duke ndërtuar demokraci të përparuar dhe multietnike”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.
Ai ka publikuar foto të flamurit të SHBA-së dhe flamurit të Kosovës në gjysmështizë.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ishte ndër figurat më të dashura të popullit të Kosovës. Ajo ishte zëri i kosovarëve në ditët e tyre më të vështira, ishte mbështetëse e fuqishme e luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, në vitin 2019, zonja Albright shprehu besimin në zhvillimin e prosperitetin e shpejtë të Kosovës.
Në nderim të saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli ditën e premte ditë zie në Kosovë.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta të mërkurën. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, thuhej në njoftimin për shpalljen e ditës së premte ditë zie në Kosovë, në nderim të zonjës Albright.
(r. m.)